Berisha kërkon nga Qeveria të sjell në Kuvend Ligjin për Fondin e Ushtrisë

  • E.K /
  • 24 February 2022 - 15:32
Berisha kërkon nga Qeveria të sjell në Kuvend Ligjin për Fondin e Ushtrisë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të dërgojë në Kuvend për miratim një Ligj për Fondin për Ushtrinë.

Duke dënuar invazionin rus në Ukrainë, Berisha tha se duhet po ashtu të përshpejtohet strategjia nacionale e sigurisë.

“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës, që menjëherë të bjen në parlament Ligjin për Fondin për Ushtrinë, do të thotë Ligjin për fondin për Mbrojtjen e Kosovës, si dhe të përshpejtohet e të bëhet strategjia nacionale e sigurisë”, tha Berisha.

Ai theksoi se Kosova duhet të reagojë në formë institucionale.

“Nuk është e tepërt që të dënohet sulmi i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Pa ngritur panik të madhe, por duke qenë serioz si shtet, e komb, duhet të reagojmë qartazi në formë institucionale duke dënuar këtë agresion të çmendur”, shprehet Berisha.

Berisha theksoi po ashtu se bota demokratike në krye me SHBA-të duhet të dënojnë fuqishëm para se të ndodhë katastrofa humanitare.

“Ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës, për më shumë ky akt duhet të na vetëdijësoj neve si Kuvend e deputet për të forcuar e mbështetur institucionet tona të sigurisë. Kolegë dhe qytetar të Kosovës, s’ka shtet pa ushtri, sikurse nuk ka ekonomi dhe prosperitet pa siguri”, u shpreh ai.

(Kosova Sot Online)