E PËRDITËSUAR| Sot pritet të mbahet takimi i dytë, vazhdojnë sulmet nga rusët në Ukrainë

  • E.K /
  • 02 March 2022 - 10:34
E PËRDITËSUAR| Sot pritet të mbahet takimi i dytë, vazhdojnë sulmet nga rusët në Ukrainë

Po shënohet dita e shtatë prej kur Ukraina u sulmua nga Rusia, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre. Rusia është bërë edhe më agresive në 24 orët e fundit. Ka sulmuar veçanërisht kryeqytetin Kyiv dhe Kharkiv, ndërsa në orët e para të mëngjesit kanë sulmuar edhe në Zhytomyr. Më poshtë gjeni të gjitha ngjarjet e ditës së sotme lidhur me Ukrainën.

[16:03] “Po i shoh njerëzit e mi duke vdekur”, rrëfimi i vullnetares mjekësore në Ukrainë

Një vullnetare nga batalioni mjekësor i Ukrainës ka thënë se është duke i parë njerëzit e saj të afërt duke vdekur derisa Rusia po vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.

Tata Marharian, shkoi nga Donbas, vendi i saj i lindjes,  në Kyiv në vitin 2015 për të studiuar ligjin ndërkombëtar.

“Po shoh fëmijë të vdekur. Po shoh spitale që po bombardohen. Po shoh kisha që bombardohen. Është e vështirë… po i shoh njerëzit e mi duke vdekur. Po shoh të gjitha llojet e horrorit. Studiova për krimet kundër njerëzimit në universitet. Studiova për ligjin ndërkombëtar. Kurrë s’mendova që do t’i shoh këto me sytë  mi në vendin tim”.

[15:53] Shtëpi, rrugë e ura të shkatërruara, fotografi që dëshmojnë dëmet nga lufta në Ukrainë

Rusia tash e shtatë ditë është duke sulmuar Ukrainën.

Nga sulmet me raketa dhe bomba janë dëmtuar shumë ndërtesat e qyteteve të ndryshme në Ukrainë, teksa gjendje më e rënduar po raportohet të jetë në qytete e mëdha të Ukrainës, si në Kyiv, Kharkiv e Mariupol.

[15:25] Mediumi ukrainas nxjerr një audio-incizim ku përmenden ushtarët rusë të vrarë, arkivolet e të cilëve kthehen në Rusi

Mediumi ukrainas ‘KyivIndependent’ ka siguruar një audio-incizim të një gruaje nga qyteti rus Aleysk ku është baza e brigadës ruse 35, e cila dëgjohet duke u thënë anëtarëve të një grupi në Whatsapp se brigada ruse e tankeve është shkatërruar totalisht në Ukrainë.

Ajo përmend se vetëm 18 nga 150 ushtarët kanë shpëtuar. Tutje në audio-incizim flitet edhe për grupin e parë prej 45 arkivolëve të ushtarëve rusë të vrarë në luftimet në Ukrainë shumica e tyre të rinj që janë sjellë në qytetin rus Aleysk ditën kur është bërë audio-incizimi.

Gruaja në incizim flet edhe për të vrarët që sipas saj janë fqinj. Ajo përmend edhe një pjesëtar të ushtrisë emri i të cilit gjendet në një regjistër sekret që ka dalë në publik të 120 mijë ushtarëve rusë të përfshirë në pushtimin e Ukrainës.

[15:23] PAMJE TË RËNDA: Civilët e vrarë pas bombardimeve në Kharkiv

Rusia nuk po i kursen më as civilët. Teksa janë bërë disa ditë luftime në Kharkiv – qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, të cilin forcat ruse duan ta marrin nën kontroll – pasojat e bombardimeve të sotme janë të pabesueshme.

“Nexta” ka publikuar pamje të rënda të civilëve të cilët kanë mbetur të vrarë nga bombardimet.

Pamjet janë shumë të rënda dhe personat nën 18 vjeç këshillohen të mos i shikojnë.

11] Rusia e merr kontrollin e zonës rreth termocentralit më të madh bërthamor në Evropë

Shefi i mbikëqyrjes bërthamore të OKB-së, Rafael Grossi ka konfirmuar se forcat ruse e kanë marrë kontrollin e zonës rreth termocentralit bërthamor të Zporizhzhia të Ukrainës, shkruanThe Guardian.

Në një deklaratë, Grossi tha se diplomatët rusë në Vjenë informuan Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) se personeli ka vazhduar punën e tij dhe se nivelet e rrezatimit “mbeten normale”.

Termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia është termocentrali më i madh në Evropë dhe ka gjashtë nga 15 reaktorët e energjisë bërthamore të Ukrainës, sipas deklaratës.

Ka raportime për qytetarët ukrainas që bllokojnë rrugët që të çojnë në termocentralin, me video të postuara në mediat sociale që tregon se ukrainasit ndërtojnë postblloqe të improvizuara pranë qytetit Energodar, ku ndodhet uzina e Zaporizhzhia.

[15:06] “Me shpejtësi drite” 7 banka ruse përjashtohen efektivisht nga sistemi SWIFT

Bashkimi Evropian ka larguar shtatë banka ruse nga sistemi global, SWIFT.

Në mesin e tyre janë: VTB Bank, Bank Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Rossiya Bank, Sovcombank and VEB, sipas një deklarate të bllokut evropian.

“Me shpejtësi të dritës, Bashkimi Evropian ka miratuar tri valë të sanksioneve të ashpra kundër sistemit financiar të Rusisë, industrive të teknologjisë së lartë dhe elitës së korruptuar”, ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një komunikate.

[14:49] Publikohen fotografi të ndërtesës së policisë në Kharkiv pas bombardimit nga Rusia

Sot në qytetin Kharkiv të Ukrainës nga forcat ruse është bombarduar edhe ndërtesa e policisë.

Nga Ministria e Urgjencave në Ukrainë janë publikuar edhe fotografi ku shihet ndërtesa e shkatërruare nga bombardimet.

Forcat ruse i kanë ashpërsuar sulmet në qytetin e dytë më të madh në Ukrainë.

[14:47] Rusia mori kontrollin e Çernobillit, Ukraina kërkon ndihmë për mbrojtjen e centraleve bërthamore

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) deklaroi se ka marrë një kërkesë nga autoriteti i energjisë bërthamore të Ukrainës për të ofruar ndihmë të menjëhershme në koordinimin e aktiviteteve në lidhje me sigurinë e Çernobilit dhe objekteve të tjera bërthamore.

CNN raporton se kërkesa është bërë pasi Rusia njoftoi se forcat e saj kanë marrë kontrollin e territorit rreth centralit bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës.

Në letrën ruse drejtuar IAEA-s thuhej se personeli i uzinës vazhdonte “punën e tij për sigurimin e sigurisë bërthamore dhe monitorimin e rrezatimit në mënyrën normale të funksionimit. Nivelet e rrezatimit mbeten normale.”

[14:28] Kryebashkiaku i Mariupolit: Rusët po rrafshojnë çdo gjë që 12 orë, granatimet nuk po ndalen

Kryebashkiuaku i qytetit bregdetar të Ukrainës, Mariupol, Vadym Boichenko ka thënë sot se në këtë qytet janë duke u shënuar viktima masive si dhe ndërprerje të ujit, si pasojë e sulmeve nga Rusia, shkruan The Guardian.

Në një lidhje direkte për TV Ukraine  Boichenko tha se rusët kanë bllokuar daljen e mbi gjysmë milionë qytetarëve të këtij qyteti.

“Forcat armike pushtuese të Federatës Ruse kanë bërë gjithçka për të bllokuar daljen e civilëve nga qyteti gjysmë milioni banorë”, tha ai.

[14:24] Ukraina thotë se më shumë se 2000 civilë u vranë nga agresioni rus

Më shumë se 2000 civilë ukrainas janë vrarë që kur Rusia filloi agresionin në Ukrainë, sipas shërbimit shtetëror të emergjencës së Ukrainës.

“Më shumë se 2000 ukrainas janë vrarë, pa i numëruar mbrojtësit tonë”, u tha në një deklaratë.

“Fëmijë, gra dhe forcat tona të mbrojtjes janë duke humbur jetët çdo orë”.

Sipas këtij shërbimi, infrastruktura, shtëpitë, spitalet dhe kopshtet e fëmijëve janë “shkatërruar” nga forcat ruse shtatë ditët e fundit.

[13:57] Ukraina konfirmon se sot do të mbahet takimi i dytë me Rusinë

Rundi i dytë i bisedimeve në mes të delegacioneve nga Rusia dhe Ukraina është vendosur që të mbahet sot derisa delegacionet pritet që të jenë të njëjtit si ata që ishin në rundin e parë të bisedimeve të hënën.

“Është zyrtare. Rundi i dytë i bisedimeve midis Ukrainës dhe okupatorit do të zhvillohet sot”, tha një ndihmës i presidentit ukrainas për CNN.

“Delegacionet do të jenë në të njëjtën përbërje”, shtoi ai.

[13:55] Raportohet se është goditur ndërtesa e Këshillit të Kharkivit

Një raketë ruse ka goditur ndërtesën e këshillit lokal të qytetit në Harkiv, kanë raportuar autoritetet lokale, transmeton BBC.

Ky qytet është afër kufirit rus dhe ka qenë shënjestër e sulmeve në dy ditët e fundit.

Ka pasur raportime edhe për luftime në rrugë në këtë qytet, pas zbarkimit të parashutistëve rusë gjatë natës./rel

[13:34] Afër 836 mijë refugjatë lëshuan Ukrainën që nga 24 shkurti

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët tha se 835,928 refugjatë kanë lëshuar Ukrainën që nga 24 shkurti.

Më shumë se gjysma e tyre (453,982) ikën përmes Polonisë. 116,348 të tjerë shkuan në Hungari, sipas UNHCR.

96,000 njerëz të tjerë u zhvendosën në Federatën Ruse nga rajonet Donetsk dhe Luhansk midis 18 dhe 23 shkurtit. Këto dy rajone kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Kremlini në shkurt i njohu ato si shtete të pavarura në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

[13:33] Pamje nga qyteti Kherson ku u raportua për luftime të ashpra mes forcave ukrainase dhe atyre ruse

Në qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, ushtria ruse pretendon se e ka marrë nën kontroll qytetin, por kryebashkiaku i saj thotë se ai ende mbahet nga forcat ukrainase.

Të mërkurën në mëngjes, ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se trupat e saj kishin marrë kontrollin e plotë të Khersonit, një kryeqytet provincial me rreth një çerek milion banorë në frontin jugor.

Nëse pretendimet e ushtrisë ruse janë të vërteta, atëherë Kherson do të ishte qyteti i parë i madh në Ukrainë që do të kontrollohej nga forcat ruse deri më tani.

[13:08] Luftë e ashpër mbi qiellin e Kyivit gjatë natës, raportohet se u rrëzuan dy avionë rusë dhe një ukrainas

Gazetari ukrainas i “The Kyiv Independent”, Illia Ponomarenko, ka njoftuar se dy avionë luftarakë rusë Su-35 janë rrëzuar gjatë natës.

“Dy Sukhoi Su-35S rusë u rrëzuan gjatë natës nga sistemet S-300, Ukraina humbi 1 Mikoyan MiG-29 në luftime”, shkroi ai në Twitter.

Për këtë ka shkruar edhe “The Spectator Index”.

[13:04] Guardian e citon median ruse: Këshilltari i presidentit ukrainas konfirmon pjesëmarrjen në bisedime

Një raund i dytë i bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohet sot gjatë ditës, njofton The Guardian duke cituar agjencinë shtetërore ruse Tass.

Agjencia ruse e lajmeve ndërkaq ka cituar një këshilltar të presidentit të Ukrainës lidhur me negociatat Rusi-Ukrainë.

Sot, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se një delegacion rus do të jetë “në vend” të mërkurën për një raund të ri bisedimesh me Ukrainën.

[12:59] Gjendje kaotike nga bombardimet ruse, 15 mijë njerëz të strehuar në Metronë e Kievit

Mediumi ukrainas, ‘The Kyiv Independent’ po raporton se 15 mijë njerëz janë duke u strehuar në metronë e Kievit shkaku i bombardimeve ruse.

Ky medium duke cituar kreun e metrosë, ka shkruar se metroja mund të strehojë deri në 100 mijë njerëz, .

“15 mijë njerëz momentalisht janë duke u fshehur nga bombat në metronë e Kievit. Sipas Viktor Brahinsky, kreu i metrosë së Kievit, metroja mund të strehojë deri në 100 mijë njerëz. Stacionet kanë ujë, banjo, ushqim dhe medikamente në dispozicion”, thuhet në postimin e mediumit në Twitter.

Po shënohet dita e shtatë prej kur Ukraina u sulmua nga Rusia, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre. Rusia është bërë edhe më agresive në 24 orët e fundit. Ka sulmuar veçanërisht kryeqytetin Kyiv dhe Kharkiv, ndërsa në orët e para të mëngjesit kanë sulmuar edhe në Zhytomyr. Më poshtë gjeni të gjitha ngjarjet e ditës së sotme lidhur me Ukrainën.

[12:08] Ukrainasit në Kherson e mbrojnë flamurin e tyre ndërsa forcat ruse e kanë pushtuar qytetin

Forcat ruse sot kanë pushtuar disa pjesë të qytetit të Khersonit, ndërsa Ministria ukrainase e Mbtojtjes ka mohuar pretendimet e rusëve se qyteti jugor i Ukrainës ka rënë në duart e tyre.

Në një video të publikuar nga “Nexta”, shihet disa ukrainas që mbrojnë flamujt e tyre në qytet, ndërsa forcat ruse lëvizin me tanke e automjete tjera ushtarake dhe po mundohen t’ua heqin.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha më herët se trupat e saj kanë fituar kontrollin e qytetit Kherson, gjë që u mohua nga Ukraina.

Për të shikuar videon, kliko KËTU.

[11:50] Klitschko: Presim luftë të madhe, njerëz që s’kanë pritur kurrë se do të luftonin na janë bashkuar

Kryetari i Kyivit, Vitali Klitschko tha për CNN se ndërsa ai ka udhëtuar globin duke përfaqësuar vendin e tij si boksier, tani ai është shumë krenar që është ukrainas.

“Kemi qëndruar përballë një prej ushtrive më të forta në botë”, tha ish-kampioni botëror i boksit në peshat e rënda. “Vullneti për të qenë të pavarur është prioriteti kryesor për ne. Dhe ne po i mbrojmë familjet tona, qytetin tonë, vendin tonë dhe të ardhmen tonë”.

Klitschko gjithashtu bëri thirrje që vendet tjera ta mbështesin Ukrainën, sepse tha se do të jetë “e vështirë të mbijetosh” pa të.

Për të lexuar më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.

[11:32] Nga burgu Navalny u bën thirrje rusëve dhe bjellorusëve të pushtojnë sheshet kundër Putinit e Lukashenkos

Lideri opozitar rus, Alexey Navalny, që po mbahet në burg nga regjimi i Putinit, u ka bërë thirrje qytetarëve rusë dhe bjellorusë që të pushtojnë sheshet dhe rrugët e të protestojnë kundër regjimit autoritar të Putinit e Lukashenkos. Navalny e ka quajtur Putinin “car të çmendur” në shkrimin e tij në Twitter.

“Putini s’është Rusia. Nëse ka diçka në Rusi që duhet të ketë krenari janë 6824 njerëz që janë burgosur sepse dolë në rrugë me pankarta “Jo luftë”. S’mund të presim më, kudo që jeni në Rusi, Bjellorusi apo në ndonjë vend tjetër të planetit shkoni në sheshet kryesore të qyteteve tuaja. Nëse jeni jashtë, shkoni në ambasadat e Rusisë protestoni”, ka shkruar ai.

Duke e quajtur Putinin një “car të çmendur”, ai ka thënë që Rusia s’duhet të bëhet një vend i njerëzve të heshtur.

“Të paktën mos të bëhemi një vend i njerëzve të heshtur. Të frikacakëve që pretendojnë të mos shqetësohen nga lufta agresive kundër Ukrainës të shkaktuar nga cari ynë i çmendur”, ka shkruar ai.

[11:04] Banori i Kharkivit i bën thirrje NATO’s: Ju lutemi mbyllni qiejt për raketat dhe aeroplanët rusë

Glib Mazepas, banor i qytetit të Kharkiv, i ka thënë se BBC-së se është e frikshme që të jetosh nën bombardimet ruse dhe në sulmet me raketa.

Ai ka përshkruar se si gjatë natës ka pasur bombardime të rënda në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Ai përshkroi gjithashtu momentin kur dëgjoi sulmin me raketa të djeshme në Sheshin e Lirisë në Kharkiv.

[10:58] Civilët ukrainas ndalin ushtrinë ruse, ia bllokojnë rrugën për te centrali bërthamor

Banorët e paarmatosur të qytetit Enerhodarit kanë bllokuar hyrjen e qytetit për trupat ruse, sipas kryetarit Dmytro Orlov, raporton “Kyiv Independent”.

“Enerhodar është një qytet në Ukrainën jugore, shtëpia e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, termocentrali më i madh në Evropë. Ka ende një numër të madh pajisjesh ushtarake ruse jashtë qytetit”, shkroi kryetari.

Në pamjet e publikuara nga llogaria zyrtare e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës shihet se si banorët e këtij qyteti ia bllokojnë rrugën për te centrali bërthamor.

Për të shikuar videon, kliko KËTU.

[10:51] Ukrainasit e rrëzuan më 2014, Putin po e përgatit ta kthejë përsëri në pushtet

Ish-presidenti i Ukrainës Viktor Yanukovych ndodhet në Minsk dhe Kremlini po përgatitet ta rikthejë atë në pushtet.

Kështu raporton mediumi “KyivPost”.

“Yanukovych është në Minsk. Kremlini dëshiron ta bëjë atë President të Ukrainës”, raporton ky medium.

[10:48] Korrespodenti i BBC: Kyiv sot është aq i qetë sa mund ta dëgjosh edhe erën duke fryrë

Korrespodenti i BBC-së, James Waterhouse ka përshkruar situatën në ditën e shtatë të luftimeve në Kyiv si të qetë dhe ndryshe ngaqë ishte një javë më parë.

Ai tha se mëngjesi ishte aq i qetë sa mund të dëgjohej edhe era duke fryrë.

“Sulmi ajror filloi përsëri, por ka qenë një natë relativisht e qetë. Sot në mëngjes është aq qetë në qendër të qytetit sa mund të dëgjosh edhe erën që fryn mes ndërtesave, një botë larg nga një javë më parë. Në katedralen e Shën Sofisë pas meje ka një shërbim në mesditë të organizuar nga krerët e kishës në të gjithë qytetin, një qëndrim i vërtetë sfide”, ka thënë ai për BBC.

[10:41] Po mbante radhën për ushqime, vritet një studenti i mjekësisë në Ukrainë

Një student indian ka humbur jetën gjatë sulmeve ruse në Kharkiv të martën. Naveen Shekharappa Gyanagoudar, ishte një student i vitit të katërt të mjekësisë në Universitetin Kombëtar të Mjekësisë, tha Sekretari i Jashtëm i Indisë, Harsh Shringla gjatë një konferencë për shtyp, shkruan CNN.

“Ai ishte duke pritur në radhë për të marrë ushqime në momentin kur u qëllua,” tha kushëriri i tij Kantesh Gyanagoudar për CNN të mërkurën, duke shtuar se Naveen kishte planifikuar të largohej për në Poloni po atë ditë.

[10:39] Kur do të vazhdojnë bisedimet Rusi-Ukrainë, flet një këshilltar i Zelenskyt

Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak ka thënë për Reuters se janë duke diskutuar për vazhdimin e bisedimeve me Rusinë, teksa tha se është e nevojshme për agjendë thelbësore për këtë takim.

I pyetur për datën për një raund të dytë bisedimesh që kur Rusia pushtoi fqinjin e saj javën e kaluar, Podolyak tha se për momentin janë në diskutim.

[10:36] Brenda Kyivit, shikoni gjendjen në kryeqytetin e Ukrainës

Gjendja në Kyiv, kryeqytetin e Ukrainës, është e qetë dhe e tensionuar teksa zbardh mëngjesi.

Ka postblloqe në të gjithë qytetin dhe radhë të gjata përpara baranatoreve ndërsa qyteti përgatitet për një ditë tjetër sulmesh dhe shpërthimesh të mundshme, ndërsa forcat ruse shtojnë sulmin e tyre.

Gazetarët e CNN në terren panë një grua duke shëtitur një qen në rrugë, por përndryshe nuk ka ndonjë njeri jashtë. Shumica po strehohen në bodrume e hapësira të tjera nëntokësore. Thasë me rërë, barriera kundër tankeve dhe grumbuj blloqesh betoni janë të mbushura rreth postblloqeve të qytetit.

Për të shikuar pamjet, kliko KËTU.

[10:31] Sekretari britanik-NATO-s: Mos e bëni këtë gjë, mund ta çojë gjithë Evropën në luftë

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, në një bisedë për BBC, ka thënë se Rusia do ta ketë shumë të vështirë që të futet në qytetet kryesore të Ukrainës duke pasur parasysh rezistencën e forcave ukrainase dhe civilët të cilët përballen me forcat ruse me çfarëdo mjeti që kanë në dispozicion.

Wallace tutje ka thënë se është pjesë e doktrinës ushtarake ruse që të tentohet rrethimi i qendrave të mëdha urbane dhe të bombardojë “pa dallim”.

Megjithatë Wallace thotë se madhësia gjeografike e Ukrainës dhe popullsia prej 44 milionësh e bën pushtimin nga Rusia “shumë të vështirë”.

Për të lexuar më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.

[10:27] Ukraina mohon se Rusia e ka marrë kontrollin në Kherson: Betejat po vazhdojnë

Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka mohuar njoftimet se qyteti jugor Kherson ka rënë në duart e rusëve, raporton CNN.

“Sipas informacioneve nga brigada jonë, betejat po vazhdojnë tani”, tha një zëdhënës i ministrisë. “Qyteti nuk është pushtuar plotësisht, disa pjesë janë nën kontrollin tonë”.

Media shtetërore ruse ka raporuar më parë se trupat ruse e kanë marrë kontrollin e plotë të qytetit.

[10:22] Disa qajnë, disa ankohen që nuk kanë ushqime e karburant, përgjohen mesazhet e ushtarëve rusë

Ushtarët rusë që po marrin pjesë në pushtimin e Ukrainës janë në në kaos total, sipas një audiopërgjimi të siguruar nga një kompani britanike të shërbimeve inteligjente, raporton A2CNN

Mesazhi radiofonik i regjistruar prej tyre tregon se një pjesë e mirë e trupave refuzojnë t’u binden urdhrave të komandës qendrore për të bombarduar qytetet ukrainase dhe po ankohen sepse po u mbaron karburanti dhe furnizimet me ushqime.

Në një prej bisedave, të dëgjuar nga “The Telegraph”, një prej ushtarëve qan ndërsa një tjetër humbet toruan teksa kërkon furnizime me ushqim dhe karburant. Samuel Cardillo, themeluesi “ShadowBreak”, kompania që ka siguruar mesazhet, tha se mesazhet i janë dërguar nga persona të pasionuar pas radioamatorizmit, që kanë kapur mesazhet me antena.

Për të lexuar më shumë rreth këtij lajmi dhe shikuar pamjet, kliko KËTU.

[10:06] Zelensky thotë se nuk e ka parë familjen e tij prej disa ditësh

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy foli më herët me gazetarët nga Kievi, ku ai ka qëndruar që nga fillimi i pushtimit rus javën e kaluar.

Kur u pyet për familjen e tij, Zelenskyy konfirmoi se nuk e kishte parë gruan e tij Olena dhe dy fëmijët e tij për tre ditë.

Luftimet në Ukrainë janë futur në ditën e shtatë të tyre. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë 136 civilë mes të cilëve 13 fëmijë. BBC shkruan se shifrat janë bërë publike nga Kombet e Bashkuara.

[09:33] Presidenti ukrainas: Kemi vrarë 6 mijë ushtarë rusë në luftë

Ndërsa lufta Rusi-Ukrainë ka hyrë në ditën e shtatë të sulmeve ruse, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë këtë mëngjes se beson se pothuajse 6,000 trupa ruse janë vrarë nga ushtria ukrainase në gjashtë ditët e para të luftës.

Megjithatë, Rusia nuk ka konfirmuar ende humbjen e ushtarëve rusë.

Në vijim të njoftimit, presidenti ukrainas këmbënguli se Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë me “bomba, goditje dhe raketa”, të cilat kanë sulmuar qytetet e Ukrainës ditët e fundit, shkruan Skynews.

[09:08] Ministria britanike e Mbrojtjes publikon raportin e fundit të inteligjencës për situatën në Ukrainë

Ministria britanike e Mbrojtjes ka publikuar sot raportin e saj të fundit të inteligjencës për situatën në Ukrainë.

Në raport thuhet se ndërsa forcat ruse janë zhvendosur në qendër të Khersonit në jug të vendit, avancimet e ushtrisë në përgjithësi janë limituar për shkak të problemeve të vazhdueshme logjistike dhe rezistencës së fortë ukrainase, shkruan The Guardian.

Sulmet e rënda të artilerisë ruse dhe ajrore kanë vazhduar të godasin zonat e ndërtuara, të fokusuara në qytetet Kharkiv, Kiev, Mariupol dhe Chernihiv, në 24 orët e fundit, thuhet në deklaratë.

Në përditësim thuhet se numri i civilëve të larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës është rreth 660,000.

[09:06] Zelensky: Rusia dëshiron “ta zhdukë” Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë të mërkurën se po synon të “zhdukë” ukrainasit, shtetin dhe historinë e tyre.

Në një video-adresim, lideri ukrainas ka thënë se sulmet me raketa në një zonë të masakrës gjatë Holokaustit tregon se “për shumë njerëz në Rusi, Kievi ynë është plotësisht i huaj”.

“Ata nuk dinë asgjë për kryeqytetin tonë. Për historinë tonë. Mirëpo ata kanë urdhër për të zhdukur historinë tonë. Për të zhdukur shtetin tonë. Për të na zhdukur të gjithë neve”.

[08:51] Rusët sulmojnë me raketa ndërtesën e policisë në Kharkiv

Ushtria ruse ka goditur me raketa  ndërtesën e policisë rajonale në qytetin Kharkiv, Ukrainë, raporton BBC, duke cituar agjencinë e lajmeve UNIAN.

Anton Geraschenko, një këshilltar i Ministrit të Brendshëm të Ukrainës, thotë se një ndërtesë që i përket Universitetit Kombëtar Karazin përballë rrugës ka marrë gjithashtu flakë pas sulmit.

Shërbimi Shtetëror për Emergjencat ka publikuar disa fotografi që tregonin zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit duke përpjekur ta shuajnë zjarrin në majën e një ndërtese të madhe.

Për të shikuar pamjet, kliko KËTU.

[08:46] Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e qytetit Kherson

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se trupat e saj kanë fituar kontrollin e qytetit Kherson, i cili gjendet në jug të Ukrainës.

Nëse Kherson ka rënë, ai do të bëhet qyteti më i madh në Ukrainë në duart e rusëve.

Përgjatë natës është raportuar se trupat ruse janë parë në rrugët e qytetit dhe kryetari i Khersonit, ka thënë se stacioni i trenit dhe ai i portit janë pushtuar./rel

[08:27] OKB: 136 civilë të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës, mes tyre edhe 13 fëmijë

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë 136 civilë mes të cilëve 13 fëmijë. BBC shkruan se shifrat janë bërë publike nga Kombet e Bashkuara.

Liz Throssell, një zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tha se numri i vërtetë i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë.

OKB tha gjithashtu se rreth 400 persona janë plagosur nga luftimet deri tani.

[08:06] Civilë të vrarë nga sulmet në Zhytomyr

Ukraina ka thënë se sulmet ruse me raketa kanë lënë të vdekur të paktën dy persona të vdekur në qytetin Zhytomyr, i cili gjendet 120 kilometra në perëndim të Kievit.

Sulmi, i cili ka pasur cak një bazë ajrore në qytet, ka goditur shtëpi në afërsi.

Ministria e Brendshme ukrainase ka thënë se të paktën dy persona kanë vdekur dhe 16 të tjerë janë të plagosur.

Një zyrtar qeveritar, Anton Gerashchenko, ka thënë më herët se shifrat e viktimave janë edhe më të larta.

[08:03] Bombardimet e përgjakshme në Kharkiv, konfirmohen 21 viktima dhe shumë të plagosur

Të paktën 21 persona kanë mbetur të vdekur nga bombardimet e rusëve në qytetin Kharkiv, mbrëmjen e kaluar.

“BBC” raporton se sulmet në qytetin e dytë më të madh në Ukrainë kanë lënë të plagosur 112 persona.

Guvernatori i Administratës Shtetërore në Kharkiv tha se të gjitha sulmet ruse “u zmbrapsën”, pavarësisht bombardimeve të rënda të martën gjatë natës.

[07:40] Vendimi i fundit i Bjellorusisë lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë

Bjellorusia do të dyfishojë numrin e trupave të saj në kufirin jugor me Ukrainën, tha udhëheqësi i këtij vendi, Alexander Lukashenka.

Grupet e batalioneve taktike në kufi do të rriten nga pesë në dhjetë gjatë dy ditëve të ardhshme, tha ai.

Sipas tij, këto janë grupe mobile, të trajnuara mirë dhe të gatshme “për të ndaluar çdo provokim dhe çdo veprim ushtarak kundër Bjellorusisë”.

Për të lexuar më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.

[07:30] SHBA mbyll hapësirën ajrore për Rusinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi se administrata e tij ka marrë vendim për të mbyllur hapësirën ajrore të SHBA-së për të gjitha fluturimet ruse.

Veprimi pason masa të ngjashme, të ndërmarra nga vendet evropiane dhe Kanadaja, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Duke folur para Kongresit amerikan për gjendjen në vend, Biden tha se ndalesa do ta izolojë edhe më shumë Rusinë dhe do ta rëndojë edhe më shumë ekonominë e saj.

[07:16] Biden kritikon ashpër Putinin, zotohet të ndalë agresionin rus

Mes shqetësimesh të brendshme e një bote në ankth, Presidenti Joe Biden u zotua të ndalë agresionin rus në Ukrainë, të zbusë inflacionin në rritje në SHBA, si dhe për të trajtojë problemet e lidhura me koronavirusin.

Presidenti Joe Biden kritikoi ashpër Presidentin rus Vladimir Putin të martën dhe mes ovacionesh të forta vlerësoi popullin ukrainas për shpirtin luftarak.

“Le t’i dërgojmë secili prej nesh një sinjal të qartë Ukrainës dhe botës se ne qëndrojmë me Ukrainën dhe popullin e saj”, tha zoti Biden.

Për të lexuar më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.

[07:11] Rusia intensifikon sulmet ndaj zonave urbane të Ukrainës

Rusia bombardoi të martën një kullë televizive në kryeqytetin e Ukrainës dhe lëshoi raketa mbi qytetin e Kharkivit duke intensifikuar bombardimet ndaj zonave urbane të Ukrainës. Ky zhvillim po shihet si një ndryshim taktike ushtarake nga ana e Moskës pas ngecjes së një sulmi që ka hyrë në ditën e gjashtë të tij.

Një zyrtar amerikan tha se një autokolonë ruse e blinduar, disa kilometra e gjatë, e cila i është drejtuar kryeqytetit të vendit, Kievit, nuk ka bërë asnjë përparim në 24 orët e fundit. Ajo kishte ngecur në vend për shkak të problemeve logjistike, mungesës së karburantit dhe ushqimeve, si dhe ndoshta ishte ndaluar për të rivlerësuar taktikat ushtarake.

Ministria ruse e mbrojtjes u kërkoi banorëve të Kievit të largohen dhe tha se do të godiste disa zona të cilat nuk i specifikoi, që përdoren nga shërbimet e sigurisë dhe të komunikimit të Ukrainës.

(Kosova Sot Online)