Fjalimi i Biden: Putini s’e ka idenë se çfarë e pret, i mobilizuam forcat tokësore nëse ai lëviz drejt Perëndimit

  • E.K /
  • 02 March 2022 - 11:40
Fjalimi i Biden: Putini s’e ka idenë se çfarë e pret, i mobilizuam forcat tokësore nëse ai lëviz drejt Perëndimit

Presidenti i SHBA-së Joe Biden të martën mbrëma mbajti fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit, ndërsa shpërthime të reja tronditën Kyivin, kryeqytetin e Ukrainës ku presidenti Volodymyr Zelensky është strehuar dhe po e udhëheq ushtrinë e tij në mbrojtje të vendit Natyrshëm, Bidenit iu dashtë që fjalimin e tij ta fokusojë në masë të madhe te pushtimi rus i Ukrainës që e ka çorientuar mbarë botën.

Presidenti amerikan njoftoi për mbylljen e hapësirës ajrore të SHBA-së për Rusinë, ndërsa paralajamëroi se sanksionet do ta dobësojnë shumë Rusinë. Ai paralajmëroi fund të keq për homologun e tij, e madje edhe përfshirjen e SHBA-së në luftë nëse agresioni i Putinit lëviz drejt Perëndimit.

Deklarata e Biden përbënte në radhë të parë vendosmërinë kundër presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e ka nisur luftën më të madhe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe po kërcënon me përdorimin e armëve bërthamore.

Presidenti amerikan e kritikoi fuqishëm homologun e tij rus për, siç tha, “sulmin e paramenduar dhe të paprovokuar” kundër Ukrainës. gjatë fjalimit të Biden në Kongresin amerikan, e pranishme ishte edhe ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova.

“Gjashtë ditë më parë, Vladimir Putin i Rusisë u përpoq t’i tundte themelet e botës së lirë, duke menduar se mund ta bëjë atë të përkulet përpara mënyrave të tij kërcënuese. Por, ai llogariti keq”, tha Biden, duke e përshkruar popullin ukrainas si “një mur force”, të cilin, siç tha, “Putin nuk e ka imagjinuar kurrë”.

Biden më pas e lavdëroi qëndrimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe qytetarëve atje, për guximin dhe vendosmërinë, që tha se e kanë frymëzuar botën.

Në Kongres, ku ligjvënësit amerikanë valëvisnin flamuj ukrainas, Biden tha se Putini “nuk e ka idenë se çfarë e pret”.

“Putini mund ta rrethojë Kievin me tanke, por ai kurrë nuk do të fitojë zemrat dhe shpirtrat e popullit ukrainas”, tha Biden, duke theksuar se SHBA-ja dhe NATO kanë treguar se Perëndimi qëndron përkrah Ukrainës.

Biden tha se Putini ka llogaritur keq, sidomos për faktin se ka menduar se Perëndimi dhe NATO-ja nuk do t’i përgjigjen. Duke e quajtur presidentin rus diktator, presidenti amerikan tha se “kur diktatorët nuk paguajnë çmimin për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos”.

“Gjatë gjithë historisë sonë e kemi mësuar këtë mësim”.

“Kjo është arsyeja përse Aleanca e NATO-s është krijuar – për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara janë anëtare, së bashku me 29 vende të tjera”, tha Biden.

Biden tha se Perëndimi e ka pritur i përgatitur agresionin e Putinit.

“Ai ka menduar se do të na përçajë. Putin ka gabuar. Ne kemi qenë gati”, tha Biden.

“Putin tani është i izoluar nga bota më shumë se kurrë”, ka thënë ndër tjerash presidenti i SHBA-së.

Biden komentoi edhe sanksionet e vendosura tashmë kundër Rusisë.

“Ne po i shkaktojmë dhimbje Rusisë dhe po mbështesim popullin e Ukrainës”, tha ai.

Biden tha se Putini “është i vetmi fajtor” për pushtimin e Ukrainës dhe premtoi se ai do të paguajë një “çmim të lartë”.

Presidenti amerikan theksoi se regjimi i Putinit mbështetet nga oligarkë dhe zyrtarë të korruptuar “të cilët kanë nxjerrë miliarda dollarë nga ky regjim i dhunshëm”.

Ai ka premtuar se do të punojë me aleatët evropianë për të konfiskuar “jahte, avionë dhe sende të tjera luksoze ruse”.

Biden konfirmoi se administrata e tij po i bllokon të gjitha fluturimet ruse – komerciale dhe private – që të operojnë në hapësirën ajrore të SHBA-së. Ky vendim pason masa të ngjashme, të ndërmarra nga vendet evropiane dhe Kanadaja.

“Le t’i dërgojmë secili prej nesh një sinjal të qartë Ukrainës dhe botës se ne qëndrojmë me Ukrainën dhe popullin e saj”, tha ndër tjerash Biden, duke marrë ovacione të mëdha në Kongres.

Fjalimi i presidentit u shoqërua me ovacione nga ligjvënësit shumë prej të cilëve valëvisnin flamujt ukrainas. Disa gra anëtare të Kongresit mbërritën të veshura me ngjyrat e flamurit ukrainas, verdhë e blu.

Biden tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën, por paralajmëroi ndërhyrje ushtarake në rast se Putini vazhdon drejt Perëndimit.

“Më lejoni të jem i qartë, forcat tona nuk janë të angazhuara dhe nuk do të përfshihen në konflikt me forcat ruse në Ukrainë. Forcat tona nuk do të shkojnë në Evropë për të luftuar në Ukrainë, por për të mbrojtur aleatët tanë të NATO-s, në rast se Putini vendos të vazhdojë të lëvizë drejt perëndimit. Për këtë qëllim ne kemi mobilizuar forcat tokësore amerikane, skuadriljet ajrore dhe anijet, për të mbrojtur vendet e NATO-s, përfshirë Poloninë, Rumaninë, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë. Siç e kam bërë të qartë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të vendeve të NATO-s me energjinë e plotë të fuqisë sonë kolektive”, tha Biden.

Teksa i afrohej fundit të fjalimit, Biden tha:

“Tani është ora. Momenti ynë i përgjegjësisë. Testi ynë i vendosmërisë dhe ndërgjegjes, i vetë historisë… Pikërisht në këtë moment formohet karakteri i këtij brezi, gjendet qëllimi ynë, farkëtohet e ardhmja jonë. Epo, unë e njoh këtë komb. Ne do ta përballojmë këtë test.”

Ndiqeni fjalimin e plotë të presidentit Biden këtu.

(Kosova Sot Online)