Ligji i dënon deri në 15 vjet – A do t’i lejojë Kosova shtetasit e saj të luftojnë për Ukrainën?

  • G.G /
  • 02 March 2022 - 13:16
Ligji i dënon deri në 15 vjet – A do t’i lejojë Kosova shtetasit e saj të luftojnë për Ukrainën?

Ukraina po kërkon ndihmë të shtetasve të huaj për ta luftuar Rusinë dhe këtë po e përkrah Perëndimi. Për shembull, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se ukrainasit po luftonin për lirinë e gjithë Evropës dhe i mbështet bashkëkombësit e saj që duan ta ndihmojnë Ukrainën në front të luftës. Por, çfarë do të bëjë në këtë rast Kosova, e cila e ndalon me ligj pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja?

Në përpjekje e sipër për të ndaluar të rinjtë kosovarë që t’u bashkohen grupeve terroriste në Lindje të Mesme, Kosova, në vitin 2015, miratoi një ligj që ndalonte pjesëmarrjen në çfarëdo lufte të huaj.

Tash, ukrainasit po sulmohen nga Rusia në shtetin e tyre, ndërsa Perëndimi është rreshtuar krah Ukrainës pa asnjë kusht. Kosova po përcjell aleatët dhe shembujt e saj perëndimorë – po ashtu pa asnjë kusht. Veçse është e paqartë se çfarë do të bëjë me një kërkesë specifike të Ukrainës për ndihmë të shtetasve të huaj në frontin e luftës.

Në ligjin e miratuar në Kosovë thuhet se “Kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht , në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.

A ka hapësirë për t’u interpretuar kjo dhe çfarë do të bëjë Kuvendi në këtë rast?

Mimoza Kusari, shefe e grupit më të madh parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se po bëhen gati që Kuvendi të dalë me një rezolutë për situatën me Ukrainës. Ajo thotë është paraparë dhe është trajtuar mundësia që të bëhet diçka rreth ligjit që ua ndalon kosovarëve të marrin pjesë në luftërat e huaja.

“E kemi në draft edhe propozimin për Qeverinë e Kosovës, që të jep një amendament, në të cilin përcaktohet qartë rasti konkret”, ka thënë Kusari.

Sipas saj, do të diskutohet nëse do të ketë përjashtim për rastin e Ukrainës.

“Sa i përket individëve dhe qytetarëve, për të cilët është në fuqi ligji, i cili i dënon me Kodin Penal, domethënë, pjesëmarrjen në luftëra të huaja, do të konsultohemi brenda orëve të ardhshme, nëse do të ketë një përjashtim në situatën e Ukrainës, në mënyrë që, natyrisht, për ata që nuk janë pjesë e Forcës së Sigurisë, ose ata që kanë shprehur interesimin të inkuadrohen në Ukrainë, njëjtë sikurse kanë bërë shtetet e tjera, të kenë mundësinë ta bëjnë. Por, prapë nuk mund ta them definitive, por e kemi paraparë dhe e kemi trajtuar”, ka thënë mbrëmë Kusari në emisionin dpt te Fidani, në T7.

Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer ndonjë përgjigje rreth qëndrimit të saj për çështjen e lejimit të shtetasve kosovarë, që të marrin pjesë në luftën krah Ukrainës, nëse ata duan.

Por, kryeministrit Kurti i ka rënë të përgjigjet në një pyetje të Sky News në Londër, rreth pretendimeve të Presidentit rus, Vladimir Putin, se kosovarët tashmë kanë luftuar krah ukrainasve. Kurti këtu tha se kjo shfaq tendencën e Putinit që ta shndërrojë luftën hibride në luftë klasike.

“Kjo shfaq synimin e tij. S’ka kosovarë që kanë shkuar të luftojnë në Donbas, është Rusia që ka aneksuar Donbasin dhe Krimenë. Më herët e ka përmendur një herë në muaj tani Putini po e përmend Kosovën çdo javë, sepse ai e urren NATO-n, e urren Perëndimin ai është lider despotik që është i hidhëruar dhe nostaligjik që do të shndërrojë luftën hibride në luftë klasike, ka luftë hibride edhe në Ballkan, dhe Sputniku ka qendrën në Beograd për tërë rajonin”, tha Kurti për mediumin britanik.

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, në një bisedë me Gazetën Express, gjen hapësirë ku kosovarëve mund t’u lejohet pjesëmarrja në luftën e Ukrainës, nëse ata duan.

 Kur e citon ligjin, ish-ministri thotë se ajo vlen për luftërat ku Kosova nuk ka pozicion e që, sipas tij, situata në Ukrainë nuk është e njëllojtë.

“Ky interpretim vlen për luftëra ku shteti i Kosovës nuk ka pozicion. Invadimi i Ukrainës nga Rusia ka implikuar ShBA dhe BE në mënyrë të hapur. Duke marrë parasysh se Kushtetuta na obligon te mbrojmë vlerat e demokracisë dhe lirisë e atëhërë kur institucionet si Presidenca dhe Kryeministria pozicionohen, kushtetuta ka supremacion”, thotë ai.

“Në Ligj, përgjegjësia është individuale, por kur shteti pozicionohet atëherë kjo përgjegjësi abrogohet. Ne rastin e invadimit të Ukrainës bashkëngjitja në këtë lufte mund të dalë përtej ligjit. Orientimi ynë është orientimi i ShBA-së edhe NATO-s andaj edhe vendimet individuale në ketë vizion kushtetues reflektojnë orientimin tone kolektiv”, thotë tutje Selimi.

Ndërkaq, juristi Ehat Miftaraj thotë se përderisa ka ligj, vetëm shfuqizimi i tij mund ta lejojë pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaj. Siç shpjegon ai, nuk ka ndonjë rrugë dytësore për këtë punë.

“Secili qytetar i Republikës së Kosovës që merr pjesë në luftëra të huaja kryen vepër penale sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë qe e ndalon pjesëmarrjen ne luftëra te huaja.  E vetmja mënyrë që shtetasit e Kosovës të marrin pjesë në luftëra te huaja dhe mos të kenë përgjegjësi penale është shfuqizimi i ligjit nga Kuvendi i Kosovës, e që sigurisht se një gjë e tillë nuk ka asnjë arsye logjike te ndodh”, ka thënë Miftaraj në një përgjigje për Gazetën Express.

Çka thotë Ligji për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura jashtë Territorit të Vendit?

Në nenin 3 të këtij ligji thuhet se “Kushdo që organizon, rekruton, udhëheqë apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.

Pika dy e tij thotë se “Kushdo që në çfarëdo mënyre të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ofron, kërkon, mbledh ose fsheh fonde apo mjete të tjera materiale me dashje, dijeni apo ka bazë të arsyeshme për të besuar se do të përdoren tërësisht apo pjesërisht për të kryer veprën penale të përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.

Ndërsa, “kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht , në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite.

(Kosova Sot Online)