
“Nëse nuk i varrosni shpejt, do t’i zhdukim kufomat”, kërcënimet e policisë serbe pas vrasjes së Familjes Jashari

Bashkëthemeluesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka rrëfyer për kohën kur kishte vizituar Prekazin, pas vrasjes së familjes Jashari.
“Me datën 10 (mars) diku në orët e fundit të paradites, mund të ketë qenë ora 11:00, unë kam qenë me Basri Musmuratin, në zyre të LDK’së, aty ku u përcillshin informatat me telefax në diasoporë dhe Perëndim”, rrëfeu ai.
“Ka ra telefoni dhe është paraqitur serbisht një person. Është paraqit si komandiri i policisë së Skenderajt”, vijoi ai.
“Unë e kam pasur telefonin dhe ia kam dhënë telefonin Basriut me fol. Ai është paraqitur si njeri i cili nga ne ka kërkuar që të bëjmë presion në degën e LDK’së në Skenderaj, sepse po rezistojnë në varrosjen e kufomave. Kufomat janë të mbledhura, sikur tha ai, të grumbulluara diku dhe pritet varrimi i tyre por dega e LDK’së dhe thotë ai, degët e formacioneve të tjera politike dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, po rezistojnë për varrimin e kufomave”, tha Gjergji.
“Ne i tham se nuk kemi mundësi me ndiku prej Prishtinës dhe mund të dëgjohemi pas pak”, tregoi ai.
“Kjo ‘pas pak’ ishte për të marrë kohë për të shkuar në Skenderaj sepse deri atëherë prej Prishtinës vetëm në mënyrë ilegale dikush që kish mund me depërtuar. Ai që kishte depërtuar isha unë me Basriun sepse depërtimet e tjera ishin shumë të pakta ose s’e dijshim ndonjë rast që mund të ketë qenë”, shpjegoi Gjergji.
“Ai ka thirr pas 10-15 minutave dhe tha ju po lypni diçka por ne mund të krijojmë mundësinë me ardhë me e pa situatën. I thash se ne kemi kërkesë tjetër, me na e dhënë mundësinë me i dërguar arkivolet. Ai tha: “kjo nuk është në mundësinë time”. Tha duhet me pyet më lartë”, tregoi Gjergji duke treguar se janë realizuar disa telefonata të ngjashme, duke treguar se u pajtuan që dy makina të mund të shkonin në Prekaz.
Pas mbërritjes ai thotë se u dërguan në stacionin e policisë në Skenderaj.
“Kanë ardhur policia me autoblinda dhe na kanë marrë mua, Basriun dhe Anton Nokën dhe na kanë çuar në stacion të policisë. Kanë bërë presion te ne që na ju kemi mundësuar ardhjen këtu që ju të bëni presion. Asnjë aktivitet në funksion të varrimit të kufomave s’po bëhet. Na kanë kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejt. Kërcënimi tjetër ka qenë që ‘në qoftë se varrimi i kufomave nuk bëhet sot, ne varrimin do ta bëjmë në një vend të panjohur dhe do t’i zhdukim kufomat”, shpjegoi ai.
(Kosova Sot Online)