Kurti e kujton policin nga Ukraina që kishte vdekur 14 vjet më parë pas një intervenimi në Veri

  • E.K /
  • 18 March 2022 - 12:29
Kurti e kujton policin nga Ukraina që kishte vdekur 14 vjet më parë pas një intervenimi në Veri

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar policin ukrainas Ihor Kinal në 14 vjetorin e vdekjes së tij, i cili dha jetën në krye të detyrës derisa po shërbente në Kosovë në kuadër të UNMIK-ut.

Ai kishte marrë plagë të rënda gjatë një intervenimi të UNMIK-ut dhe KFOR-it më 17 mars 2008 kur ata hynë për të liruar Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale në veri të Mitrovicës, të cilat ishin uzurpuar nga rreth 300 protestues të armatosur serbë. Një ditë më pas ai vdiq nga plagët e marra.

Lexo Edhe:

Rasti i Gylenistëve, shtyhet seanca për shkak të grevës së administratës -…

How Do You Lose Belly Fat And Gain Muscle?

“Protestuesit që vinin nga radhët e strukturave ilegale të Serbisë, atë ditë kishin me vete armë dhe mjete të tjera shpërthyese me të cilat sulmuan policët. Ndër 88 ushtarakë e zyrtarë policorë, të KFOR-it e të UNMIK-ut, të cilët u plagosën apo lënduan ishte edhe polici i UNMIK-ut nga Ukraina, Ihor Kinal. Më 18 mars 2008, një ditë pas sulmit, 26 vjeçari ukrainas vdiq si pasojë e plagëve të rënda të marra më 17 mars”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Ai la pas nënën, babanë dhe motrën dhe varri i tij sot ndodhet në afërsi të qytetit Ternopil, në një fshat në perëndim të Ukrainës. Në shkollën e tij të mesme, i është ngritur një memorial përkujtimor në nderim të shërbimit të tij në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë”.

Kurti kujtoi ngjarjen duke thënë se grupe kriminale të strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë kryen sulmin më 17 mars 2008. Ai shtoi se ky rast më vonë është trajtuar edhe nga EULEX-i i cili pat ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve: Marjan Ilinçiq, Zoran Çaviq, Dragan Milojeviq, Aleksandar Aksentijeviq, Nebojsha Joviq dhe Avni Krasniqi.

“Teksa përkujtojmë dhe nderojmë policin e ri ukrainas Ihor Kinal, urojmë që familja e tij të jenë shëndosh e mirë dhe ritheksojmë admirimin dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës dhe luftën e tij çlirimtare kundër agresionit e invazionit rus”.