Kurti u flet serbëve: Nuk janë të nevojshme protestat

  • G.G /
  • 23 March 2022 - 13:21
Kurti u flet serbëve: Nuk janë të nevojshme protestat

Kryeministri Albin Kurti tha se ka marrë informacione se serbët kanë marrë instruksione nga Beogradi për të protestuar pasnesër lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë.

Kurti tha se “nuk është e drejtë” që ata të protestojnë për këtë çështje.

“Sot më erdhi informacioni që po përgatiten edhe protesta për pasnesër. Unë nuk mendoj që protestat janë të nevojshme për këtë çështje. Unë plotësisht do t’i kuptoja qytetarët serbë nësde do të protestonin kundër korrupsionit, për çështje sociale, për arsim më të mirë e për shëndetësi më të mirë. Mirëpo të hyhet në protesta për zgjedhjet e Serbisë që të mbahen nëpër objekte shkollore, nuk është e drejtë”, tha ai.

Kryeministri i ftoi qytetarët serbë në Kosovë që “të mos organizojnë e marrin pjesë në protesta të tilla”. Ai tha se si protestues me përvojë, mund t’iu thotë atyre se “protestat nuk janë rruga e duhur”.

“Unë jam organizator i madh i protestave nga e kaluara ime, por më besoni që me kompetencë, jo vetëm nga përvoja, por edhe nga rrethanat politike e gjeopolitike në të cilat ndodhemi, protestat nuk janë rruga e duhur përpara”, tha Kurti.

Ai tha se zyra e tij është e hapur për ankesa.

“Aspak nuk lë shije të mirë kur në Beograd mbrëmë mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë, e sot në mëngjes lëshohen thirrje për protestë”, tha Kurti.

(Kosova Sot Online)