Gjykata Supreme konfirmon dënimin prej 12 vitesh burgim ndaj Zoran Gjokiq për krime lufte

  • G.G /
  • 30 March 2022 - 13:48
Gjykata Supreme konfirmon dënimin prej 12 vitesh burgim ndaj Zoran Gjokiq për krime lufte

Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarit Zoran Gjokiq për shkak të veprës penale krime të luftës kundër popullatës civile, njofton se në seancën e mbajtur me 15 shkurt 2022, refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësit të dënuarit, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, me aktgjykimin PS.nr.15/2019, të dënuarin Z.Gj. e ka shpallur fajtor se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krime të luftës kundër popullatës civile dhe e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) vite.

Në procedurën ankimore, edhe Gjykata e Apelit-Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.22/2021, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës si dhe të mbrojtësit të dënuarit Z.Gj., ndërsa aktgjykimin e shkallës së parë e ka vërtetuar”, thuhet në njoftim.

“Gjykata Supreme me aktgjykimin Pml.nr.19/2022, e ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së Z.GJ., duke vërtetuar se gjykatat e instancës më të ulët, drejt kanë zbatuar ligjin penal dhe se në veprimet e të dënuarit qëndrojnë të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale, për të cilën është shpallur fajtor”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)