Ish-kryeministri rus: Negociatat janë vetëm kamuflazh, Putini po vepron

  • A.P /
  • 31 March 2022 - 15:57
Ish-kryeministri rus: Negociatat janë vetëm kamuflazh, Putini po vepron

Moska është zotuar t’i “ulë rrënjësisht” operacionet e saj rreth kryeqytetit ukrainas për ta “rritur besimin e ndërsjellë” në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë, por zyrtarët perëndimorë sugjerojnë se kjo nuk është një çështje e qëllimit të sinqertë, por e blerjes së kohës.

Mikhail Kasyanov, i cili ishte kryeministër i Rusisë nën presidentin Vladimir Putin nga viti 2000 deri në 2004, foli për Sky News për situatën në Ukrainë dhe se çfarë mund të nënkuptojnë bisedimet e paqes. “Unë nuk mendoj se ka ndonjë indikacion se Putini është i gatshëm ta bëjë ndonjë lëshim”, tha ai.

“Ai dëshiron të zhvillojë negociata të organizuara me Ukrainën vetëm për t’i treguar të gjithë botës se ai dëshiron paqe, por… mendoj se është thjesht kamuflazh”, tha Kasyanov.

Analisti ushtarak Michael Clarke tha se pati një dështim i Moskës për të kapërcyer Ukrainën, përcjell Gazeta Express.

“Është një racionalizim i situatës ushtarake në të cilën ata gjenden”, tha ai. “Ata e kuptojnë, jam i sigurt, se duhet t’i përqendrojnë forcat e tyre. Ata janë shumë të dislokuar. Ata duhet të përqendrohen diku dhe kjo është arsyeja pse vëmendja e tyre është përqendruar tani në juglindje të vendit”, shtoi Clarke.

Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, një zyrtar perëndimor tha se njoftimi “duket më shumë si një stërvitje taktike” për t’i dhënë kohë trupave për t’u rigrupuar. Duke folur në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i SHBA Joe Biden tha: “Do të shohim nëse do të funksionojë”.

Ky vlerësim u përsërit nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se “nuk sheh shenja serioziteti të vërtetë” nga Rusia kur bëhet fjalë për përfundimin e luftës.

(Kosova Sot Online)