Stavileci e “armatos” Nagavcin: S’ka mesazh më të keq për nxënësit tonë se ky

  • A.P /
  • 04 April 2022 - 17:58
Stavileci e “armatos” Nagavcin: S’ka mesazh më të keq për nxënësit tonë se ky

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se aktakuza ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, sic ka thënë ai duke u thirrur në formulimin e aktakuzës, për armëmbajtje pa leje, është mesazhi më i keq që sot mund ta kenë marrë nxënësit e shkollave të Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Arbërie Nagavci po akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktakuza thotë se më 21 mars 2018, e pandehura Nagavci në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur në posedim sprejin me ngjyrë të gjelbër, me pjesë spërkatëse të zezë me mbishkrimin “NATO American Style”.

“Të gjithë pajtohemi se sot në shkollat tona problemet më të mëdha janë dhuna dhe bullizmi. Dhe, pikërisht ajo që do të duhej të ishte në krye të kauzës kundër këtyre dy dukurive të këqija, sot është protagonistja më e keqe për to. Pra, imagjinoni, MINISTRJA E ARSIMIT KA AKTAKUZË PËR MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR TË ARMËVE. Fatkeqësisht, për nxënësit tonë, nuk mund të ketë mesazh më të keq sesa ky!”, ka shkruar Stavileci.


(Kosova Sot Online)