Eliza Hoxha nuk u përgjigjet VV’së e Presidencës që i reaguan dje
“Një gjë duhet ta pranojmë – komplimenta për dukjen!”, kështu shkroi deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, pas një sërë kritikash që ia dha presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për një vit mandat.
Komentimi i pamjes së presidentes sërish nxiti reagime se pamja e grave në politikë s’duhet komentuar. Dy kundërpërgjigje i erdhën Hoxhës – njëra nga vetë Presidenca, e tjetra nga Vetëvendosja.
Këshilltarja politike e Osmanit, Donjeta Miftari, e quajti “trishtuese” këtë koment të deputetes së PDK-së, derisa tha se po përpiqet që të reduktohet fuqia e presidentes në pamjen e saj.
“Është për keqardhje qasja seksiste në shoqërinë tonë dhe fakti që e njëjta amplifikohet tutje nga disa gra në politikë. Për fund, nëse dikush ka pikëpamje për qëndrimet politike të Presidentes, jemi me fat që jetojmë në një demokraci të hapur ku këto mendime mund të shprehen publikisht. Por përpjekja për të reduktuar fuqinë e Presidentes në pamjen e saj është trishtuese dhe indikator i infantilitetit në politikën ditore në vend”, ka shkruar Miftari dje në Facebook.
E irrituar reagoi edhe deputetja e Vetëvendosjes, Tinka Kurti, që tha se peshorja aktivizohet herë në njërën anë herë në tjetrën dhe se asnjëherë gratë aty nuk janë tamam.
“Në vitin e kaluar menduam që u mbyll cikli i gabimeve pas reagimit të një deputeti që shau presidenten për dukje. Aq shumë njerëz racionalë u shprehën kundër dhe e dënuan gjuhën e tij sa mendon që kjo do të jetë hera e fundit që dikush merret me këtë aspekt… Sa e sa herë është argumentuar se komentimi i pamjes për gratë, përfshirë ato në politikë i dëmton të gjitha gratë. Dëshira ime është që asnjë grua, asnjë deputete të mos shprehet kështu dhe as të mos mendojë në këtë formë të dëmshme e paragjykuese”, shkroi Kurti.
Por, përgjigjja e Hoxhës për këto reagime ishte vetëm “seen”.
Në kritika të ashpra dhe madje në protesta pati hasur edhe një postim ofendues i një kolegu të Eliza Hoxhës, deputetit të PDK-së Ardian Kastrati, për pamjen e presidentes, vitin e kaluar.
(Kosova Sot Online)
