Jasharaj në një letër e quan “tellall” zyrtarin e VV-së, flet për tubime që ka mbajtur me Kurtin në Dukagjin

  • E.K /
  • 11 April 2022 - 13:29
Jasharaj në një letër e quan “tellall” zyrtarin e VV-së, flet për tubime që ka mbajtur me Kurtin në Dukagjin

Përmes një letre për media, kryetari i SBASHK-ut, i ka reaguar qeveritarëve, për fyerjet, që, sipas tij, ua bënë protestave të mësimdhënësve. I referohet një postimi të zyrtarit të VV-së, Arlind Manaxhuka, që në ditën e protestës kishte publikuar një fotografi të qenve dhe kishte shkruar “Protestë. Bllokadë”.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, përmes një letre publike, u ka reaguar, qeveritarëve, që sipas tij, e ofenduan protestën e mësimdhënësve.

“Tellallë të pafytyrë, ju fyes e sharës të mësuesit dhe ju që merreni me personalitetin tim, fyerjet tuaja ua lëmë në fytyrën tuaj, pra edhe të fyerjeve të një tellalli të VV-së për pjesëmarrësit e protestës, sepse edhe qeni ka besnikëri, që ai nuk e ka. Sepse edhe deputetët [Adnan] Rrustemi e [Mefai] Bajçinovci kot shpifin e merren me ofshama e gënjeshtra, sepse punëtorët e arsimit janë heronj të kohës”, thuhet në shkrimin e tij.

Ndërkaq, Manxhuka, ka mohuar se fotoja me qen, e shoqëruar me shkrimin “Protestë. Bllokadë”, ka pasur të bëjë me protestën që u mbajt po atë ditë nga SBASHK.  

Ndërkaq, në letrën e tij, Jasharaj thotë se Qeveria Kurti nuk u mor aspak me kërkesat e përfaqësuesve të mësimdhënësve.

Tutje, ai ka treguar se ka marrë pjesë në tubime të ndryshme me Kurtin, për kauzat e tij politike.

Kurti më herët i ka akuzuar përfaqësuesit e sindikatave se kanë qenë të lidhura me PAN Qeverinë.

(Kosova Sot Online)