Kush është Shqiprim Arifi?

  • A.P /
  • 12 April 2022 - 17:32
Kush është Shqiprim Arifi?

Edhe një herë, Shqiprim Arifi u zgjodh kryetar i Preshevës. Politikani nga Tërnava e Preshevës gjeti një fitore disa ditë pasi dështoi në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Në ditën kur u kthye në karrigën e kryetarit tha se “Zoti jep pushtet e merr pushtet” dhe qau.

Shqiprim Arifi të hënën u bë për herë të tretë kryetar i Preshevës, komunës më të madhe në Luginë, aty ku ishte kthyer nga Gjermania rreth 20 vjet më parë. Pas zgjedhjeve lokale në vitin 2016, ai u zgjodh për herë të parë kryetar i Komunës së Preshevës, ndërsa në shkurt 2018 u rizgjodh në të njëjtën pozitë.

Zotin e falënderoi sapo e mori fjalën në Kuvendin Komunal, ku 20 këshilltarë komunalë votuan për të. Ishin po aq që paraprakisht votuan për shkarkimin e Ardita Sinanit nga ajo pozitë. Arifi beson se Zoti ka planifikuar dhe në fund ka marrë “vendim” që atë ta bëjë sërish kryetar të Preshevës.

“Pikë së pari njëherë dua ta feleminderoj në këtë muaj të shenjtë Zotin, i cili ma ka mundësuar prapë me qëndru këtu dhe i cili jep pushtet, merr pushtet dhe prapë jep pushtet ashtu ai siç mendon dhe ashtu ai siç e planifikon, dhe unë jam i kënaqur me vendimin e tij që me qenë prapë këtu”, tha Arifi dhe ia plasi vajit më pas.

Kryetari i Alternativës për Ndryshim duket të jetë politikani më “i padisiplinuar” i Luginës në raport me Kosovën dhe Shqipërinë, dy shtetet që së paku deklarativisht brengosen për shqiptarët në atë pjesë dhe ku duan që përfaqësuesit e tyre të jenë sa më të bashkuar.

Bashkimi i shqiptarëve ishte këshilla e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dje në takim me përfaqësuesit politikë të Luginës, të cilët i priti në zyrën e tij. Shqiprim Arifi dhe kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu nuk morën pjesë aty dhe e bënë të kundërtën e asaj që porositi Kurti. U bashkuan në Kuvendin Komunal të Preshevës për ta rrëzuar Ardita Sinanit nga karrigia e kryetares.

Pasi s’e dëgjoi kryeministrin e Kosovës, Arifi tha  se Kurti nuk ka njohuri për zhvillimet në Preshevë dhe e akuzoi ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu si njeriun që e ka nxitur kreun e Qeverisë që t’i mblidhte përfaqësuesit politikë të Luginës për ta parandaluar ndryshimin e qeverisjes atje.

Pak më vonë, ministri Aliu tha se shpreson që tash e tutje Arifi ta fillojë komunikimin me Prishtinën dhe Tiranën. “Ky komunikim nuk ka munguar me Beogradin”, tha ai

Aliu mendon se do të duhej të priteshin zgjedhjet e radhës lokale, pasi tha se rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Serbi kishte treguar se Arifi nuk doli mirë.

Ardita Sinani e quajti hakmarrje shkarkimin e saj pak ditë pasi partitë politike dështuan ta fitonin ndonjë mandat në Kuvendin e Serbisë. Deputet nuk arriti të rizgjedhej as Shaip Kamberi, bashkëpartiak i saj në Partinë për Veprim Demokratik, një kundërshtar politik i Shqiprim Arifit.

Në zgjedhjet parlamentare, Arifi mori rreth 3,000 vota.

Para se të futej në politikë, Shqiprim Arifi angazhohej në shoqatën e quajtur “Qendra Solidaritetit dhe Avancimit”. Në vitin 2015 së bashku me një grup të rinjsh e themeluan partinë “Aleternativa Për Ndryshim”. Ishte shumë i zëshëm në opozitë. Partnerin e tij aktual, Sami Salihun, e kishte quajtur “tradhtar” dhe “rrenc” para më pak se një viti, kur s’ishin në të njëjtën anë.

Shqiprim Arifi, politikani, të cilit i pëlqen t’i përdorë disa shprehje në gjermanisht e të paraqitet si biznesmen i suksesshëm dhe model për bashkatdhetarët, ka lindur më 14 qershor 1976 në Mannheim, “qytetin universitar” siç njihet në Gjermani. Ai është me origjinë nga fshati Tërnavë i Preshevës.

Për shkollimin e Arifit në shtetin e fuqishëm në qendër të Europës nuk ka informacione mjaft të qarta. Me një kërkim në internet, mund të gjendet thjesht se ai “ndoqi shkollën fillore, dhe në fushën e logjistikës, ndoqi shkollën e ekonomisë, të cilën e përfundoi në viti 1998”.

Në fund të viteve ’90, Shqiprim Arifi kishte nisur të punonte në kompaninë gjermane, “HAAF”, e cila merret me zgjidhje transporti dhe logjistike për industrinë e automobilave, kimikateve, ndërtimit e paketimit. Aty përshkruhet se ka qenë “menaxher i sektorit ndërkombëtar”.

Një vit para se të zbarkonte në Preshevë, ai e kishte nisur një biznes privat në fushën e logjistikës. Degë të kompanisë së tij thuhet se ishin hapur në Stuttgart, Leipzig, Hamburg, Bratisllavë e Kumanovë.

Në Preshevë u zhvendos për të jetuar që nga viti 2003.

(Kosova Sot Online)