Deklarata e Musliut në diasporë për Fondin e Ushtrisë nxit reagime në LVV

  • A.P /
  • 17 April 2022 - 15:43
Deklarata e Musliut në diasporë për Fondin e Ushtrisë nxit reagime në LVV

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, thotë se është “jashtëzakonisht shqetësuese” t’i kërkohet diasporës ta sabotojë fondin për ushtrinë. Këtu ai i referohet një deklarate të koleges së tij nga PDK-ja, Ganimete Musliut.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, duke mbajtur një fjalim para një grupi të diasporës në Gjermani, ka thënë se Kryeministri Albin Kurti po i keqpërdor kosovarët jashtë vendit. Këtu, ajo foli për hapjen e fondeve nga Qeveria, specifikisht për fondin për ushtrinë e Kosovës.

Zyba i LVV-së thotë se është më shumë se skandaloze, që t’i bësh thirrje mërgatës për sabotim të këtij fondi.

“Në kohën e kërcënimeve të përditshme nga Serbia, të rrethanave të reja globale për shkak të luftës në Ukrainë, në kohën e një pasigurie globale, pra mu në kohën kur më shumë se kurrë kemi nevojë për siguri e për të cilën gjë e kemi edhe FSK-në, të shkosh në mërgatë dhe t’i bësh thirrje mërgatës për sabotim të Fondit për Siguri të krijuar nga Qeveria e Kosovës, është më shumë se skandaloze dhe jashtëzakonisht shqetësuese”, ka shkruar Zyba në Facebook

“Nëse ka pasur përbashkim shoqëror e politik në Kosovën e pasluftës ajo është padyshim Ushtria e Kosovës dhe forcimi i saj, por sot për këtë gjë fatkeqsisht të pakënaqur krahas Vuçiq-it e Serbisë na paska dale edhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu. E kam të pamundur ta kuptoj motivin e kësaj thirrje”, thuhet tutje në postimin e tij.

(Kosova Sot Online)