Kurti e afron deputetin e VV-së një ditë pasi ai tha se po vazhdon “gjakderdhja financiare”

  • E.K /
  • 18 April 2022 - 11:57
Kurti e afron deputetin e VV-së një ditë pasi ai tha se po vazhdon “gjakderdhja financiare”

Një ditë pasi në media u shpërnda një deklaratë e tij ku kritikonte Qeverinë Kurti, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli është parë krah Kryeministrit, në homazhet e kryera sot në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe të hënën, ndërsa, ndër të tjerë, bashkë me të ishte edhe deputeti i LVV-së, Humolli dhe një grup i deputetëve të tjerë.

Ai është prej zyrtarëve që LVV-së i është bashkuar së voni dhe është një prej deputetëve të ri në përbërjen e grupit parlamentar të këtij subjekti.  

Një deklaratë e Humollit, i cili disa vjet ka qenë anëtar i AAK-së së Ramush Haradinajt, mori vëmendjen dje. Ai po e kritikonte Qeverinë Kurti, veçanërisht ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin. Sipas deputetit të LVV-së, ky ministër “nuk merr vesh” në bujqësi.

Image

Pas homazheve para shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë. Pas Kurtit shihen disa deputetë të LVV-së, në mesin e tyre Humolli.

Ndërkaq deputeti në një televizion lokal në Podujevë tha se “gjakderdhja financiare”, të cilën, si Vetëvendosje kanë dashur ta ndalin, po vazhdon edhe më tutje.

“Gjakderdhja financiare që është bërë, është duke vazhdu gjakderdhja financiare. Vetëvendosja, kemi kërku që kena me ndalë këtë. Kam kërku prej qeverisë që me ndalë. Edhe nuk ka ide se qysh me zhvillu. Unë i kam thanë Albin Kurtit unë hy në listë, por me kushtin që duhet me u bë 1 mijë fshatra prodhuese. Me 1 mijë fshatra prodhuese, tash Qeveria e Kosovës që është, nuk vjen me bisedu as nuk kam mundësi me bisedu, që është ministri që nuk merr vesh për Bujqësi. Nuk e di ai çka ka të kryer, por ai nuk merr vesh për Bujqësi dhe tash çka ke me bisedu me të”, kishte thënë Humolli në një intervistë në televizionin lokal “TV Llapi”. 

(Kosova Sot Online)