Antikorrupsioni thotë se do ta trajtojë marrëveshjen e Ministrit Aliu me kolegjin ku punon

  • E.K /
  • 21 April 2022 - 12:38
Antikorrupsioni thotë se do ta trajtojë marrëveshjen e Ministrit Aliu me kolegjin ku punon

Ministri Liburn Aliu s’ka pyetur fare në Agjencinë Kundër Korrupsionit, nëse marrëveshja që do ta nënshkruante me UBT’në, kolegjin ku ligjëron, përbënte konflikt interesi. Nga ky institucion kanë paralajmëuar se do ta trajtojnë këtë informatë.

Pasditen e djeshme, Ministri i Infrastukturës, Liburn Aliu e shfrytëzoi pozitën qeveritare për të nënshkruar marrëveshje me një kolegj privat.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ngjalli reagime të shumta, meqë vetë Aliu është i angazhuar si ligjërues në këtë institucion privat të arsimit të lartë. U cilësua si konflikt i pastër interesi.

Për këtë punë, media ka pyetur Agjencinë Kundër Korrupsionit, e cila drejtohet nga bashkëpartiaku i Aliut, nëse janë duke e hetuar këtë rast apo do ta hetojnë.

Zyrtarja e këtij institucioni, Lumnije Demi, ka thënë se për rastin në fjalë, agjencia s’ka zhvilluar ndonjë verifikim apo hetim.

Ajo ka thënë se Agjencia s’i mbikëqyr aktivisht zbatimin e vendimeve të Qeverisë nga ana e ministrive, por se zhvillon procedura të hetimeve paraprake kur ka dyshime për moszbatim të legjislacionit bazë, keqpërdorim të detyrës zyrtare apo dyshime për vepra me elemente korruptive.

“Për rastin e adresuar nga juaj, ju njoftojmë që Agjencia kundër Korrupsionit nuk ka zhvilluar ndonjë verifikim apo hetim. Bazuar në kompetencat ligjore, Agjencia kundër Korrupsionit, nuk mbikëqyr aktivisht zbatimin e vendimeve të Qeverise së Kosovës nga institucionet vartëse të Qeverise apo institucioneve te pavarura. AKK zhvillon procedura të hetimeve paraprake, në rastet kur ka dyshime për moszbatim të legjislacionit bazë të AKK, keqpërdorim të detyrës zyrtare apo dyshime për vepra me elemente korruptive”, ka deklaruar Demi.

Në faqen zyrtare të këtij institucioni, tregohen edhe rastet se kur fillon procedura për shqyrtimin e konfliktit të interest. Një prej tyre është edhe kërkesa e vetë zyrtarit.

Bazuar në përgjigjet e AAK’së, i bie se Aliu se ka kërkuar fare mendimin e Agjencisë, para se të nënshkruante marrëveshjen me kolegjin privat.

Me të pranuar informatën për këtë rast përmes pyetjeve të Express, Agjencia Kundër Korrupsionit ka thënë se ajo do të trajtohet brenda afateve ligjore.

“Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon pranimin e informatës. Informata juaj do të trajtohet brenda afateve ligjore”, thuhet në përgjigjet e AKK’së.

Se është i angazhuar si ligjërues në këtë kolegj, Aliu e ka konfirmuar edhe në deklarimin e pasurisë, që e kishte dorëzuar në fund të marsit të vitit të kaluar.

Sipas deklarimit që kishte bërë, ai pranonte pagë nga UBT’ja në vlerë 1 mijë e 128 euro.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, ka shkaktuar reagime të ish-bashkëpunëtorëve të kryeministrit Kurti dhe analistëve politikë.

Ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi, e ka quajtur shkelje të premtimeve të Vetëvendosjes të cilët kanë proklamuar se do të mbështesin institucionet e arsimit të lartë.

“Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, paska nënshkruar sot një marrëveshje me kolegjin privat UBT. Pra, jo me UP-në, ashtu siç ka proklamuar LVV për pothuajse një dekadë, por me një kolegj privat, nga i cili, për më keq, Ministri Aliu edhe merr pagë. Kjo është shkelje e premtimeve të LVV-së për mbështetje të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe konflikt i pastër i interesit. Por, kjo është edhe test për Kryeministrin Albin Kurti”, ka shkruar Gashi.

Ndërkaq ish-anëtari i VV-së, Rron Gjinovci, ka thënë se qeveria Kurti 2 do të shkojë drejt dështimi kolosal me një qasje të tillë.

“Memorandum me privatët qeveria e majtë! Kurti 2 drejt një dështimi kolosal nëse vazhdon qishtu”, ka shkruar Gjinovci.

Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, ka kritikuar marrëveshjen e ministrit Aliu me kolegjin në të cilin është i punësuar.

“Ministri nënshkruan marrëveshje me kolegjin privat, nga i cili paguhet si profesor. QR”, ka shkruar Mushkolaj.

Pas këtyre reagimeve, Aliu ka reaguar e ka thënë se kishte në plan të nënshkruante marrëveshje me Universitetin e Prishtinës, por se kjo është shtyrë për ditën e nesërme(për sot).

“Për të qenë të saktë dhe transparentë, sot ka qenë e planifikuar që të nënshkruhet marrëveshja me Universitetin e Prishtinës. Përkundër vullnetit tonë, në pamundësi për të realizuar këtë sot, nënshkrimi i bashkëpunimit me UP është shtyrë për ditën e nesërme”, ka shkruar Aliu.

Aliu më herët bëri të ditur se nënshkroi marrëveshje me një kolegj privat “në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore”.

Megjithatë, Aliu thotë se qasja e Ministrisë që udhëheq ai nuk do të jetë diskriminuese.

“Bashkëpunimi me universitetet, profesorët dhe studentët, do të sjellë ide dhe energji të reja, por mbi të gjitha angazhim të profesionistëve në sektorët që koordinon Ministria jonë. Ne besojmë tek kapacitetet intelektuale e profesionale të shoqërisë dhe shtetit tonë. Në asnjë mënyrë, qasja jonë nuk është selektuese e as diskriminuese apo favorizuese, por në përputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kemi në plan t’i realizojmë. Jemi të përkushtuar që me transparencë të plotë, të bashkëpunojmë me të gjitha universitetet dhe akademinë pa përjashtim, në mënyrë që të instalohen praktikat më të mira në këtë kontekst”, ka thënë Aliu.

(Kosova Sot Online)