Halimi përfundon dëshminë: Në qendrën stërvitore në Zllash kishin qasje vetëm rekrutët e instruktorët

  • E.K /
  • 21 April 2022 - 13:29
Halimi përfundon dëshminë: Në qendrën stërvitore në Zllash kishin qasje vetëm rekrutët e instruktorët

Dëshmitari i njëmbëdhjetë i mbrojtjes, Musli Halimi, në seancën e së enjtes, në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka thënë se në qendrën stërvitore në Zllash kishin qasje vetëm rekrutët e instruktorët.

Ky dëshmitar, e vazhdoi dëshminë të cilën e kishte filluar të mërkurën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Derisa u përgjigj në pyetjet e prokurores Silvia D’Ascoli, Halimi ka thënë se me Rrahman Dinin ka pasur shumë kujtime gjatë luftës.

Sipas tij, ai e kishte mbajtur në shpinë Rrahman Dinin rreth 5 km kur ishte i sëmurë, ku kanë pasur mundësi të bisedojnë.

“Sepse ka qenë i sëmurë dhe e kam mbajtur nga Prapashtica deri në Koliq. Çka ka qenë i sëmurë nuk e di, por s’ka mujt të lëvizë. Me sa e di, saktë nuk jam, ka qenë i sëmurë prej zemre dhe mushkërive, por mundësia e tij me ecë nuk ka qenë, nuk ka mund të ecë. Kam qenë ai që është dashtë t’i bart të plagosurit bashkë me luftëtarët e mi nga Prapashtica në Koliq, vija ajrore është diku 5 km. Këtu më ka ra me Rrahman Dinin që kam mbetur i rrethum diku 2 ditë e 2 netë, më ka ra me nejt”, ka thënë ai.

Ai tha se kjo mendon se ka qenë diku më 19 apo 19 prill, atëherë kur ka qenë ofensiva e Zllashit.

Ky dëshmitar ka thënë se e ka dërguar në një batalion tjetër të Brigadës 153 dhe detyra e tij ka qenë ta dërgojë deri në atë bazë e të kthehet prapë në Prapashticë.

Tutje, dëshmitarit i janë treguar disa fotografi, ku për njërën prej tyre ai konfirmoi se është shkolla e Zllashit, ku janë bërë trajnimet e qendrës stërvitore.

Sa i përket njësitit BIA, ai tha se nuk është në dijeni që ka qenë një vend ku të njëjtit kanë qëndruar në Zllash, më sipër shkollës.

I pyetur se a është takuar ndonjëherë me njerëz të BIA-së në qendrën stërvitore ose në afërsi të saj gjatë marsit e prillit 1999, Halimi e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se jo vetëm me njerëz të BIA-s, por as me ndonjë ushtar tjetër përveç me kadetë, nuk ka pasur kontakt me dikë tjetër në qendrën stërvitore.

“Vetëm kadetët, instruktorët, kanë pas qasje në qendrën stërvitore. Ka qenë strikt e ndalume, trajnimi u kry me kadetë, instruktorët janë marrë me kadetë dhe kjo është e tëra. Edhe me pas dashtë so leju, s’ka pas të drejtë dikush me ardhë në qendër stërvitore”, tha Halimi.

Tutje, shtoi se nuk njeh anëtarë të njësitit BIA. Ndërkaq, tha se nuk beson që ka trajnuar ndonjë anëtar të BIA-s gjatë kohës kur është marrë me trajnimin e rekrutëve në qendër stërvitore.

“Kadetë që kanë ardhë në qendër stërvitore, nuk jam marrë me biografinë e tyre apo ardhjen e tyre. Kjo është parapërgatit dhe lista ka ardhë e saktë. Nuk ka qenë detyrë e imja të merrem me të dhënat apo biografinë e çdonjërit, kush është, çka është. Detyra jem ka qenë me i trajnu dhe me iu përmbajt listës që ka ardhë nga brigada 153”, bëri të ditur Halimi.

Ndërkaq, i pyetur se kush e vuri në kontakt me ekipin e mbrojtjes që të japë deklaratë për ta, ai bëri të ditur se e kanë telefonuar avokatët e Salih Mustafës.

“Nuk mund të them që dikush ka ardhë më ka thënë, jam taku me avokatët e Salih Mustafës, nuk më kanë bë presion, me vetdëshirë jam taku me ta. Kush iu ka thënë atyre nuk e di, por ata më kanë thirrë mu. Me vetdëshirë kam pranu dhe kam dhënë deklaratë. Me vullnet”, bëri të ditur Halimi.

Kurse, ka thënë se nuk e ka diskutuar as me familjen e askënd tjetër faktin se ka dhënë deklaratë për mbrojtjen e Salih Mustafës.

Lidhur me arrestimin e Mustafës, ai bëri të ditur se është informuar përmes mjeteve të informimit, konkretisht nga televizioni.

Po ashtu, kur u pyet nëse pas arrestimit të Mustafës ka qenë në kontakt me familjen e këtij të fundit, ai tha se nuk e njeh familjen e Salih Mustafës.

Ndërsa, për Brahim Mehmetajn, ai tha se ka punuar në vitin 2018, 2019 e 2020, ku kanë qenë në drejtori të ndryshme, por kanë punuar në një komunë.

Lidhur me Mehmetajn, ai tha se e di se ka dhënë dëshmi në këtë rast. Kurse, theksoi se nuk e ka përcjellë edhe shumë procesin gjyqësor ndaj Mustafës.

“Jo edhe shumë, s’jam marrë me këtë punë, s’i kom përcjell. E ceka nuk mund të them që kam qenë i interesum me i përcjell, nuk i kam përcjell, por aty këtu ndonjë lajm e kam dëgju, se Radio Televizioni i Kosovës i jep çdo herë këto seanca dhe kam mundur ta dëgjoj ndonjëherë përmes televizionit”, tha Halimi.

Pas përfundimit të dëshmisë së këtij dëshmitari, seanca e së enjtes do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të dymbëdhjetë të mbrojtjes.

(Kosova Sot Online)