Ministri Aliu dhe kabineti i tij harxhuan 30 mijë euro në dreka, darka, udhëtime e mëditje

  • G.G /
  • 27 April 2022 - 12:26
Ministri Aliu dhe kabineti i tij harxhuan 30 mijë euro në dreka, darka, udhëtime e mëditje

Liburn Aliu mban emrin e një fisi antik ilir që shtrihej në Kroacinë e sotme. Por, shpenzimet në ministrinë e tij – ashtu si marrëveshja me kolegjin privat ku ligjëronte nga pozita e ministrit – përngjajnë shumë me ‘fiset ilire’ antike që ishin në institucionet tona para 14 shkurtit.

Ndalja e gjakderdhjes financiare është njëra nga frazat të cilën shpesh e kemi dëgjuar nga kryeministri i Kosovës që mban emrin Albin e mbiemrin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kritike për qeveritë e kaluara në lidhje me shpenzimet pa karar, udhëtimet jashtë vendit, akomodimet.

Gazeta Nacionale bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka siguruar shpenzimet që kanë bërë ministrat e Kurtit gjatë vitit 2021 dhe fillimit të vitit 2022. I pari është ministri i Infrastrukturës, Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu.

Një ministër, Liburn Aliu; 8 këshilltarë e 2 asistente administrative; Dy zv/ministra, e secili prej tyre gjithashtu me asistentë e këshilltarë. Ky është bilanci i zyrtarëve të lartë politikë në Ministrinë e Infrastrukturës, Mjedisit e Planifikimit Hapësinor.

Vetëm gjatë vitit 2021 pasi ka ardhur në pushtet qeveria Kurti II, ministri Aliu me gjithë këtë kabinet kanë shpenzuar shuma të majme parash për mëditje, akomodime, dreka zyrtare e bileta udhëtimi.

Që nga qershori e deri në dhjetor të vitit të kaluar, ministri Aliu bashkë me anëtarët e tjerë të kabinetit, kanë shpenzuar saktësisht 23 mijë e 23 euro e 35 cent. Kjo 23 mijëshe është shpenzuar vetëm për: mëditje, akomodim dhe shpenzime të tjera për udhëtime jashtë vendit. Mbi 6 mijë euro të tjera, ministri Aliu dhe kabineti i Ministrisë që ai drejton, kanë shpenzuar për biletat e udhëtimit. Në vitin 2021 gjithashtu, 7 mijë e 796 euro janë shpenzuar për dreka zyrtare. Në total për shpenzime të këtij lloji, në ministrinë e Liburn Aliut janë shpenzuar pak më shumë se 36 mijë euro gjatë vitit 2021.

Image

Kurse, për periudhën janar-prill të këtij viti, shpenzimet për mëditje, akomodim kapin vlerën e 5 mijë eurove. 3 mijë e 350 euro të tjera janë shpenzuar në bileta udhëtimi, e 682 euro për dreka zyrtare. Si rezultat, në katër muajt e parë të vitit 2022, Aliu me bashkëpunëtorë kanë shpenzuar mbi 8 mijë euro. Në vitin 2022, ekstra këtyre shpenzimeve, ministri Aliu i vetëm ka shpenzuar 1 mijë 111 euro për dreka zyrtare.

Muaji nëntor i vitit të kaluar ka qenë me më së shumti shpenzime për Liburn Aliun dhe kabinetin e tij. Gati 13 mijë euro janë shpenzuar për mëditje, akomodime e shpenzime të tjera gjatë udhëtimeve zyrtare. Gazeta Nacionale jua sjell shpenzimet e të gjithë zyrtarëve për vitin 2021.

Liburn Aliu – ministër:

Mëditje – 1 mijë e 976€, akomodim – 3 mijë e 796€, shpenzime tjera – 760€, dreka zyrtare – 5 mijë e 77€, bileta udhëtimi – 2 mijë e 644€.

Hysen Durmishi – zv/ministër:

Mëditjet – 407€, akomodim – 558€, shpenzime të tjera – 24.50€, dreka zyrtare – 1 mijë e 09€.

Image

Linda Çavderbasha – zv/ministre:

Mëditje – 641€, akomodim – 515€, kthim mjetesh – 558€, shpenzime të tjera – 1 mijë e 123€, dreka zyrtare – 670€.

Rineta Jashari – shefe e kabinetit e ministrit:

Mëditje – 230€, kthim mjetesh – 795€, dreka zyrtare – 203€.

Gent Zeqiri – këshilltar politik i ministrit:

Mëditje – 715€, akomodim – 861€, kthim mjetesh – 405€, shpenzime të tjera – 224€, dreka zyrtare – 109€, bileta udhëtimi – 755€.

Image

Florent Ramqaj – këshilltar politik i ministrit:

Mëditje – 1 mijë e 199€, dreka zyrtare – 62€, bileta udhëtimi – 755€.

Shpenzime të ngjashme kanë pasur edhe anëtarë tjerë të kabinetit të zv/ministrave, përfshirë këshilltarë e asistentë.

Në muajin qershor të vitit 2021 shuma totale e shpenzimeve për mëditje, udhëtime jashtë vendit, bileta e akomodime shkon në: 872€, në muajin korrik 645€, gusht 2 mijë e 575€, në tetor 3 mijë e 146€, nëntor 12 mijë e 978€, dhjetor 1 mijë e 449€.

Viti 2022

Deri në muajin prill të këtij viti, ministri Liburn Aliu bashkë me kabinetin e tij kanë shpenzuar saktësisht 5 mijë e 237€ për udhëtime jashtë vendit, mëditje e akomodime. 682 euro deri në këtë muaj janë shpenzuar për dreka zyrtare, përderisa për bileta udhëtimi 3 mijë e 350€.

Image

Veç ministri Liburn Aliu në vitin 2021 ka shpenzuar 1 mijë e 111€ për dreka zyrtare, përderisa për bileta udhëtimi 1 mijë 659€ të tjera.

(Kosova Sot Online)