Votimi i Abazoviqit për kryeministër, detajet e fundit nga Mali i Zi
Analisti Kristian Dukaj ka dhënë detaje e fundit nga Mali i Zi lidhur me seancën ku pritet të votohet Dritan Abazoviqi për kryeministër.
Ai deklaroi se opozita malazeze e ka bojkotuar Parlamentin, teksa sipas tij deri në këto momente është votuar vetëm kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi.
“Tani Abazoviq sapo e ka përfunduar fjalimin e tij në Parlamentin e Malit të Zi. Tani është pjesa tjetër duke diskutuar. Ende nuk e kemi votimin e kryeministrit të Malit të Zi, por ashtu siç e përmendët edhe ju është votuar kryetarja e Parlamentit që vie nga radhët e Partisë Socialiste Popullore, parti kjo e dëshmuar si pro-serbe. Kjo është hera e dytë në Malin e Zi që e kemi një grua në krye të Parlamentit. Opozita sot e ka bojkotuar komplet Parlamentin dhe këtë seancë duke e cilësuar si jolegjitime dhe anti-kushtetuese”, ka thënë ai.
Dukaj tregoi se në planin e Abazoviqit është paraparë që shqiptarët t’i kenë dy ministri.
“Qeveria e re do t’i ketë 18 ministra, apo 20 ministri. Dy ministra do të jenë pa protokoll. Është interesante që shqiptarët do t’i kenë dy ministri: Ministrinë e Administratës Publike dhe atë të Minoriteteve”, tha ai.
(Kosova Sot Online)
