Akuzohet se vrau vëllain me sëpatë për probleme pronësore në Pejë, krejt çka tha mbrojtja në seancën e djeshme

  • S.A /
  • 30 April 2022 - 08:35
Akuzohet se vrau vëllain me sëpatë për probleme pronësore në Pejë, krejt çka tha mbrojtja në seancën e djeshme

Procesi i dytë gjyqësor është zhvilluar në Gjykatën Themelore Pejë, ndaj të akuzuarit Asllan Nikqi, ndaj të cilit rëndon akuza për vrasjen e vëllait të tij, M.N, ka ardhur drejt fundit. Në seancën e së premtes, avokati Mustafë Kastrafi pretendoi se vdekja e viktimës nuk kishte ardhur nga lëndimet e marra gjatë konfliktit në ditën kritike.

Në këtë rast, prokuroria pretendon se i akuzuari kishte goditur me sëpatë viktimën, pasi ky i fundit e kishte sulmuar paraprakisht të akuzuarin për shkak të problemeve pronësore mes tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë proces gjyqësor, të premten u ballafaquan në një anë teoria të cilën e mbështet prokuroria se goditjet me sëpatë nga ana e të akuzuarit kishin shkaktuar vdekjen e viktimës M.N, i cili ishte gjetur 1200 metra larg vendit kur kishte ndodhur përleshja fizike. Në anën tjetër, mbrojtja e të pandehurit pretendoi të  kundërtën.

Në këtë seancë, në paraqitjen e argumenteve përmbyllëse, mbrojtësi i të akuzuarit Nikqi, avokati Mustafë Kastrati pretendoi se vdekja e tani të ndjerit M.N nuk kishte ardhur nga lëndimeve të marra gjatë konfliktit mes tyre në ditën kritike.

Avokati Kastrati e cilësoi të njëanshëm raportin e autopsisë, pasi sipas tij ishte siguruar nga prokuroria dhe thotë se ky raport nuk kishte sqaruar në mënyrë profesionale lidhjen kauzale.

“Aktakuza bazohet vetëm në një raport obduksioni dhe atë të siguruar nga prokuroria si provë e njëanshme. Ai raport në aspektin profesional lë çështje të pasqaruar. I akuzuari nuk është fare kryes i kësaj vepre. Vdekja nuk ka lidhje kauzale me lëndimet e marra, të gjitha sipërfaqësore në konfliktin e ditës kritike”, tha avokati Kastrati.

Tani ai  shtoi se veprimet e të mbrojturit të tij  nuk mund të cilësoheshin më as si tejkalim i vetëmbrojtjes, pasi sipas tij, i akuzuari nuk ishte kryerës i vrasjes.

Kurse, për të miturin A.N, njëherësh djali i të akuzuarit i cili ngarkohet për pjesëmarrje në rrahje, mbrojtësi i tij, avokati Binak Cena tha se ishte munduar t’i ndante të akuzuarin dhe viktimën që të mos përleshen.

Sipas avokatit, i mituri nuk kishte të bënte me veprën penale që ngarkohet nga prokuroria.

Më pas, prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj tha se mbetet pranë aktakuzës dhe fjalës përfundimtare të cilën e kishte paraqitur shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Në seancën e sotme, me pëlqimin e palëve në procedurë, u konsideruan të lexuara të gjitha provat materiale të kësaj lëndë penale.

Kur erdhi deri te dëgjimi i të akuzuarit Nikqi, ky i fundit nuk dëshiroi dëshmonte, vetëm tha që mbetet pranë deklarimeve të dhëna në procesin e kaluar gjyqësor dhe deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori.

I pandehuri sqaroi vetëm rrethanën se djali i tij në momentin e përleshjes kishte tentuar t’i ndante, mirëpo kishte qenë i vogël për t’i ndarë. Po ashtu, ai kërkoi falje për atë çfarë ka ndodhur.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 5 maj 2022.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Themelore të Pejës, vrasja e tani të ndjerit M.K, nga vëllai i tij Asllan Nikqi, kishte rezultuar si pasojë e problemeve pronësore.

I akuzuari Asllan Nikqi ngarkohet se me bisht të sëpatës e ka privuar nga jeta vëllain e tij M.N, ndërsa djali i tij, i mituri A.N dyshohet për veprën penale të pjesëmarrjes në rrahje.

Më 24 gusht 2020, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale dhe atë, nga vrasja e rëndë në vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme dhe ndaj të akuzuarit kishte shqiptuar 15 vite burgim. Ndaj të miturit ishte shqiptuar masa edukative e mbikëqyrjes së shtuar nga ana e prindit.

Më 27 nëntor 2020, Gjykata e Apelit e kishte prishur vendimin e Themelores, pasi kishte konstatuar se ishte marrë në shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 30 shtator 2019, Asllan Nikqi akuzohet se më 26 prill 2019, rreth orës 18:00, në afërsi të Rekës së Allagës në Pejë, me bisht të sëpatës e ka privuar nga jeta vëllain e tij, këtu viktimën M.N.

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve jo të mira mes familjeve të viktimës dhe të pandehurit të krijuara nga kontestet pronësore, lidhur me një pronë në mal, i pandehuri në ditën kritike së bashku me të miturin A.N, shkojnë në bjeshkë për të marrë drunj dhe në momentin kur marrin drunjtë, duke dashur t’i largojnë trupat nga traktori, viktima e kishte njoftuar policinë për prerjen e drunjve dhe pasi policia nuk i përgjigjet, iu del përpara të pandehurit dhe të miturit.

Siç thuhet në aktakuzë, viktima i kishte sulmuar me sëpatë të pandehurin, i cili arrin që t’ia marrë sëpatën nga dora dhe me bisht të sëpatës e godet viktimën në kokë dhe në pjesë tjera të trupit, ku në këtë rrahje merr pjesë edhe i mituri A.N e më pas largohen nga vendi i ngjarjes duke e lënë viktimën në gjendje të rëndë shëndetësore.

Si pasojë e këtyre goditjeve, viktima gjendet i vdekur pas dy ditë në rrugën e fshatit Reka e Allagës dhe atë në vijë ajrore prej 1,200 metra nga vendi ku ka filluar përleshja fizike, me çka i akuzuari Nikqi thuhet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 i Kodit Penal të Kosovës.

Kurse, i mituri A.N. thuhet se kishte marrë pjesë në rrahje, e cila ka rezultuar me vdekjen e tani viktimës M.N, me çka ka kryer veprën penale “pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187, paragrafi 1 i Kodit Penal.

(Kosova Sot Online )