Vuçiq e ndjek Veriun e Kosovës me kamera, si Big Brother, thotë se ushtarët e FSK po shëtisin atje

  • E.K /
  • 10 May 2022 - 15:11
Vuçiq e ndjek Veriun e Kosovës me kamera, si Big Brother, thotë se ushtarët e FSK po shëtisin atje

Serbët që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës por edhe në dy qytetet tjera, Leposavic dhe Zubin Potok, janë pothuajse plotësisht të dirigjuar nga Beogradi dhe politika e Aleksander Vucic. Kjo ka bërë që Serbia dhe Vucic të shtrijnë influencën e tyre në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Madje Vuçiq me një veprim të bërë në konferencën e tij për media të mbajtur para katër ditësh, në një formë ka “konfirmuar” se ka qasje edhe në kamerat e sigurisë që janë të vendosura në veri të Mitrovicës, duke e pasur të mundur kështu të kontrollojë edhe lëvizjet që bëhen në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një konferencë për media të mbajtur të premten e javës së kaluar, në monitorin prapa shpinës së tij ka publikuar pamje që pretendon se janë të datës 5 maj, e që sipas tij shfaqin një makinë të Ushtrisë së Kosovës që lëviz ne pjesën veriore të Mitrovicës.

Vuçiq në këtë konferencë fillimisht ka shfaqur edhe letrën që mban nënshkrimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, për marrëveshjen e bërë me NATO-n se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk futen në pjesën veriore pa një marrëveshje paraprake me misionin e KFOR-it që është në kuadër të NATO-s.

“Shikoni, kjo është ajo çfarë Thaçi ka nënshkruar, që FSK-ja nuk do të duket në veri të Kosovës. Publikoni pamjet. Këto janë foto të ditës së djeshme dhe të pardjeshme, një veturë me tabela të FSK-së në veri të Mitrovicës”, ka thënë Vucic.

Ai tutje ka vazhduar me pretendimet e tij se Kosova po i shkel të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, përfshirë edhe këto me NATO-n

“Ata po shkelin çdo marrëveshje që e kanë nënshkruar”, ka thënë Vucic, duke shtuar se Kosova nuk shqetësohet për marrëveshjet dhe sipas tij po “synohet të provokohen serbët më qëllim të shkaktimit të incidenteve”. 

(Kosova Sot Online)