Sanksionet: Shqipëria ul varësinë nga nafta ruse, gruri rus u zëvendësua me atë serb

  • A.P /
  • 17 May 2022 - 20:31
Sanksionet: Shqipëria ul varësinë nga nafta ruse, gruri rus u zëvendësua me atë serb

Edhe në muajin prill tregtia e jashtme vijoi të rritej në krahasim më një vit më parë. Eksportet u rritën 46% në bazë vjetore, ndërsa importet me 23%.

Grupet kryesore që ndikuan në rritjen e eksporteve ishin mineralet, lëndët djegëse, materialet e ndërtimi dhe tekstilet. Të njëjtat grupe rritën edhe importet në vend, por faktor kryesor janë edhe çmimet e rritura të produkteve, pasi në peshë sasia e mallrave të importuara dhe eksportuara është më e ulët ose e barabartë në krahasim me një vit më parë.

Ajo që bie në sy është se Shqipëria ka ulur në mënyrë drastike tregtinë me Rusinë, nga 1.57 miliardë lekë mallra, në 278 milionë lekë prillin e këtij viti. Nga krahu tjetër, me Ukrainën vendi ynë ka ulur importet, por ka rritur eksportet, gati duke i dyfishuar në vlerë. Ukraina është një konsumuese e frutave dhe perimeve Made in Albania.

Një tjetër fakt që bie në sy nga shifrat e prillit është se sa i përket grurit vendi ynë ka marrë 9 mijë tonë më pak nga Rusia, por kjo është kompensuar tërësisht nga Serbia, nga ku importuam 10 mijë tonë më shumë, gjë e cila ka sjellë dhe rritjen në vlerë.

(Kosova Sot Online)