Kurti takon sipërmarrës edhe në Zvicër

  • A.P /
  • 23 May 2022 - 16:08
Kurti takon sipërmarrës edhe në Zvicër

Kryeministrit Kurtit duket se po i pëlqejnë takimet me sipermarrës të huaj. Edhe pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Ameriës, takimet e tij në Davos të Zvicres, në Forumin Ekonomik, po vazhdojnë të jenë të natyrës sipermarrëse.

Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar se ai i ka takuar udhëheqësit e “Paypal”, platformë përmes së cilës bëhen transfere dhe pagesa online.  

Ky takim, siç shkruan ZKM-ja, u bë “në margjina” të Forumit Ekonomik Botëror, që mbahet në Davos të Zvicres përvjet.

“Indikatorët pozitivë ekonomikë, rritja ekonomike impresive dyshifrore, si dhe potenciali që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit, u theksuan nga Kryeministri Kurti në takimin me Richard Nash, Zëvendës President i PayPal dhe drejtues i Grupit për Marrëdhënie Globale me qeveri, dhe me Franz Paasche, Zëvendës President i Lartë i PayPal dhe Drejtor i Çështjeve Korporative”, thotë njoftimi i Kryeministrisë

Kosova nuk është pjesë e platformës së PayPal, ndërsa ZKM-ja njofton se Kryeministri Kurti u ka treguar disa prej “faktorëve të rëndësishëm e të dobishëm”, të përfshirjes së shtetit që përfaqëson, në këtë platformë.

“Kryeministri theksoi shkallën e lartë të përdorimit të internetit në Kosovë, rritjen e nivelit të shfrytëzimit të tregtisë elektronike e-commerce dhe blerjeve online, si dhe dërgimin e remitencave nga mërgata, si faktorë të rëndësishëm e të dobishëm që PayPal të përfshijë edhe Kosovën në platformë”.

ZKM-ja paralajmëron se kryeministri Kurti, gjatë qëndrimit në Zvicër, do të “takohet edhe me përfaqësues të tjerë të ndërmarrjeve e liderë politikë, si dhe do të zhvillojë takime me mërgatën atje”.

Po ashtu, njofton Zyra e tij, Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në panelin “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” në Forumin Ekonomik Botëror.

(Kosova Sot Online)