Mediat serbe: Hill mbështet Ballkanin e Hapur

  • A.P /
  • 23 May 2022 - 16:45
Mediat serbe: Hill mbështet Ballkanin e Hapur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, me të cilin ka biseduar për përmirësimin e “marrëdhënieve dypalëshe, diversifikimin e energjisë, integrimin evropian të Serbisë, si dhe çështjet aktuale gjeopolitike dhe iniciativat integruese rajonale”.

Vuçiq e ka quajtur Serbinë iniciatore të projekteve të shumta që “lidhin vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrën më të mirë dhe se për këtë arsye Serbia njihet si një partner proaktiv për të gjithë ata që duan të punojnë me sinqeritet dhe përkushtim në progresin e rajonit”.

Sipas një njoftimi për media të presidencës serbe, që e citon televizioni publik serb, Ambasadori Hill, ritheksoi mbështetjen e SHBA-së për integrimin evropian të Serbisë dhe vendeve të rajonit, si dhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet. Po ashtu thuhet se Hill e ka mbështetur edhe Ballkanin e Hapur

“Ne gjithashtu mbështesim nismën e Ballkanit të Hapur dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në zhvillimin e saj më të shpejtë”.

Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë përpjekjet për thellimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal që promovon integrimin në Bashkimin Evropian.

“Duke folur për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, bashkëbiseduesit u pajtuan se të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialogun nën patronazhin e Bashkimit Evropian, pasi që bisedimet janë mënyra e vetme e drejtë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme” thekson komunikata.

Ambasadori Hill theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin e tyre me partnerët nga Bashkimi Evropian në drejtim të vazhdimit të dialogut që do të sjellë rezultate konkrete.

(Kosova Sot Online)