Veterani i UÇK-së: Jam me kancer, qeveria po m’i ndalë paratë që më takojnë, fëmijët më qesin çdo ditë në internet për t’i blerë barnat

  • E.K /
  • 06 June 2022 - 15:31
Veterani i UÇK-së: Jam me kancer, qeveria po m’i ndalë paratë që më takojnë, fëmijët më qesin çdo ditë në internet për t’i blerë barnat

Në protestën e sotme te Kuvendi i Kosovës ishte edhe një veteran me kancer. Ai tha se sipas vendimit të mjekëve, atij i takojnë 100 euro në muaj, por tha se këtë të drejtë po ia mohon Qeveria.

Në lidhjen direkte, ky veteran i UÇK-së prezantoi vendimin e mjekut, ndërsa tha se terapia për sëmundjen e rëndë i kushton 1 mijë euro në javë.

“Unë jam me sëmundje të rëndë të kancerit. Mjekët ma kanë lëshuar vendimin. Kah 100 euro në muaj që më takojnë… dhe tash Qeveria nuk po i lëshojnë paret. Qe ku e keni vendimin. Vendimin unë ia kam çu edhe këtyre deputetëve me e-mail”, tha ai.

Veterani tha se detyrohet që mjetet t’i kërkojë përmes internetit për t’u trajtuar.

“Unë jam në kancer qe afër një vit. E kam terapinë 1 mijë euro në muaj. Mua më duhet me e qitë veten për çdo ditë në internet. Ndoshta më kemi pa. Më kanë pa krejt bota. Duhet fëmija me e qitë në internet për me i ble barnat”, tha ai.

Sipas veteranit, atij po i mohohet mundësia t’i marrë këto para me arsyetimin se e merr pagesën mujore prej 170 eurosh.

“Këta nuk i lëshojnë paret se thonë nuk keni të drejtë me e gëzu të drejtën e dyte. A këta deputetë që janë me kancer, punëtorët që punojnë në shtet kah 1000 – 2000 euro rrogën, e kanë këtë të drejtë”, tha ai.

“Këtë nuk guxon kurrkush në botë me e ndalë. Vetëm këtu te ne ndalet. Se kur ta lëshon ty mjeku vendimin që duhet me i gëzu këto 100 euro për sëmundje të rëndë… Sëmundja dmth është vdekjeprurëse. Që ke jetë sot për nesër. Mundesh me jetu një ditë, dy ditë, tri ditë… eventualisht shtatë ditë.. Qe vendimi”, tha ndër tjerash veterani i UÇK-së.

Tani, ai tha se s’i ka mbetur rrugë tjetër, veçse t’iu drejtohet gjykatave të huaja.

“Mua tash më duhet me i bë letrat në gjuhë të tjera, anglisht, frëngjisht dhe me e lypë të drejtën time. Deri tash 1000 euro jam minus. Këta më kanë shti barnat me i ble se më kanë thënë këto para janë tuat dhe të takojnë 3 vjet, sa shkruan vendimi. Tash na nuk kemi të drejtë kurrgjë hiç. 170 euro i marrim, këto t’i marrin ujë, rrymë, mbeturina.. Ku po mbesin fëmija për një muaj? Ku po mbetet familja?”, tha ai.

(Kosova Sot Online)