Kusari tregon si votoi Srpska për ligjin që afekton veteranët

  • A.P /
  • 14 June 2022 - 16:13
Kusari tregon si votoi Srpska për ligjin që afekton veteranët

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka dalë në konferencë për media pas miratimit të projektligjit për pagën minimale.

Kusari foli për mbështetjen që mori VV nga Lista Serbe, duke thënë se grupi parlamentar që ajo udhëheq, ka diskutuar vetëm me grupin multietnik dhe jo me Listën Serbe.

Ajo tha se Listën Serbe e dërgoi PDK, “për t’i dhënë konotacion, i cili u përcjell edhe nga shoqata e veteranëve në reagimin e tyre”.

“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka diskutuar vetëm me grupin multietnik. Fatkeqësisht në mungesë të PDK-së, ata e dërguan Listën Serbe, që t’i japë këtë konotacion, i cili u përcjell edhe nga shoqata e veteranëve në reagimin e tyre”, u shpreh Kusari.

Ajo tha se nuk kanë kërkuar votë nga Lista Serbe.

“Si pozitë, sot nuk kemi kërkuar votë nga Lista Serbe. Ka muaj tashmë që ata janë rreshtuar krah opozitës, atë e deklarojnë edhe në votim, përderisa, sot qëndruan vetëm t’i japin hije të keqe një procesi, në mënyrë që të jipët argumenti për partinë e cila nuk kishte guximin të ishte vetë në sallë, si parti e mirëfillt parlamentare, për të treguar kundërshtinë e vet. Ajo çka unë mund të them është se pa Listën Serbe, rezultati do të ishte i njëjtë në miratim të këtij projektligji.”

(Kosova Sot Online)