Zbulohen detaje nga vërejtjet e Venecias për 'Vettingun' që s’u thanë
Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dolën të premtën në një konferencë për media për të njoftuar se Komisioni i Venecias e ka dhënë dritën e gjelbër për “vetting” në drejtësi.
Komisioni i Venecias publikoi të hënën opinionin për këtë çështje. Në fillim thuhet se mirëpresin faktin që Koncept Dokumenti përfshin një seksnion të rëndësishëm të krahasimit me vendet tjera. Por në vijim, Komisioni i Venecias radhit disa vërejtje
“Megjithatë, ka një mungesë qartësie, në lidhje me terminologjinë, për shembull, Koncept Dokumenti propozon futjen e “vettingut” si një proces ad hoc i vetëm, por gjithashtu i referohet mekanizmave ekzistues të rekrutimit dhe disiplinës si “vetting””, thuhet në krye të opinionit të këtij organi të Këshillit të Europës.
Në opinion jepet vlerësimi për opsionet e Ministrisë së Drejtësisë për “vettingun”, ndërsa Komisioni i Venecias jep një propozim.
“Komisioni pajtohet se Opsioni 1 – mosmarrja e asnjë mase – nuk do të ishte të mjaftueshme për të përmirësuar gjendjen aktuale të punëve. Komisioni i Venecias propozon dallimin ndërmjet rasteve individuale të sjelljes së pahijshme gjyqësore dhe problemeve më të gjera që lidhen me joefikasitetin e sistemit gjyqësor, veçanërisht zgjatjen e tepërt të procedurave. Këto të fundit duket se kërkojnë masa të ndryshme si mjet juridik, veçanërisht ato teknike (TI) dhe reforma e procedurave gjyqësore”, thuhet në opinion.
Koncept Dokumenti i MD-së për “vettingun”, sipas Komisionit të Venecias përcakton bindshëm se ndryshimet ligjore janë të garantuara dhe përmend disa, të cilave iu referohet opsioni i dytë.
“Për shembull, mekanizmat e verifikimit duhet të kenë një ligj të duhur dhe bazë rregullatore. Ndryshimet ligjore duhet të mundësojnë edhe përfshirjen e zyrtarëve gjyqësorë, duke përfshirë staf mbështetës, që nuk mbulohet nga mekanizmat ekzistues. Komisioni është i mendimit se mund të garantohen ndryshime të mëtejshme ligjore, veçanërisht në lidhje me përdorimin aktiv të deklaratave të gjyqtarëve dhe prokurorëve (dhe gjithashtu zyrtarëve të tjerë shtetërorë) për identifikimin e mundshëm të rasteve të korrupsionit dhe të merren masa në këto raste”, thuhet në opinion.
Agjencisë Kundër Korrupsionit, sipas Komisionit të Venecias duhet t’i mundësohet të shkaktojë procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që deklarojnë në mënyrë të parregullt pasurinë e tyre.
Komisioni i Venecias thotë se propozimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për konfiskimin e pasurisë së përfituar paligjshëm do ta bënte më efektiv sistemin e deklarimit të pasurisë.
“Rezultatet e këtyre reformave duhet të merren parasysh gjatë shqyrtimit të ndryshimeve kushtetuese”, thuhet në opinion.
Komisioni thekson nevojën që Këshilli Prokurorial ta ruajë kompetencën për të rekomanduar te presidenti/ja shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. E rëndësishme, sipas Komisionit, është gjithashtu që të ketë dialog të plotë me Këshillin Prokurorial para miratimit të ndryshimeve të tilla.
“Pa mbështetjen e tyre aktive, Opsioni 3 nuk ka të ngjarë të arrijë rezultatet e pritura”, thuhet në këtë opinion.
Për opsionin e katërt, që parashikon krijimin e organeve të posaçme të verifikimit në baza të përhershme, Komisioni rekomandon futjen e verifikimit të plotë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, në një nivel thjesht legjislativ, por me një parakusht: “Vetëm pas rrugëve të tjera, reformave ligjore dhe institucionale, mundësisht duke përfshirë kontrollet e integritetit të anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së”.
Komisioni i Venecias thekson se pas ndryshimeve kushtetuese, “fuqia për të rekomanduar shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’i kthehet KGJK-së dhe KPK-së”.
Opsioni i pestë, sipas Komisionit të Venecias ngre vështirësitë e veta.
“Komisioni i Venecias e konsideron draftin kushtetues me amendamentet që janë përgatitur sipas Opsionit 5, edhe në versionin e tyre më të shkurtër të rishikuar, shkojnë shumë larg duke parashikuar një vetting për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, ndryshimet kushtetuese, ku është e nevojshme, duhet të parashikojë vetëm kontrolle të integritetit të anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së, kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve”, thuhet në opinion.
Përgjithësisht, Komisioni i Venecias rekomandon futjen e ndryshimeve legjislative që do ta përmirësojnë sistemin aktual të disiplinës gjyqësore nëpërmjet forcimit të sistemit të deklarimit të pasurisë dhe forcimin e njësive të vettingut në kuadër të KGJK-së dhe KPK-së.
“Ndryshimet kushtetuese duhet të konsiderohen vetëm për kontrollet e integritetit të anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së, kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve”, thotë Komisioni.
Për këtë organ, është shumë e rëndësishme që të dallohen “rastet e paaftësisë profesionale, e cila mund të trajtohet nëpërmjett trajnimit, nga rastet e qëllimshme, aktet dashakeqe të cilat mund të adresohen përmes kontrollit të integritetit”.
Komisioni konsideron se një reformë e gjyqësorit në Kosovë është e nevojshme dhe se kjo mund të përfshijë një formë të kontrolleve efektive të integritetit.
“Çdo ndryshim kushtetues duhet të synojë invazivitetin minimal në kompetencat e KGJK-së dhe KPK-së duke arritur qëllimin për reformimin e gjyqësorit”, thuhet në opinion.
Në kontekstin e Kosovës, sipas Komisionit të Venecias, “vettingu” efektiv do të thotë domosdoshmërisht kombinim i masave të ndryshme që do të kenë një efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e gjyqësorit.
“Edhe nëse ky lloj verifikimi nuk korrespondon domosdoshmërisht me përkufizimin formal të dhënë në seksionin II më sipër, të gjitha këto masa të marra së bashku janë pjesë e një reforme në drejtësi që përbën një “vetting”, ashtu siç është aspiruar në mënyrë legjitime nga populli dhe autoritetet në Kosovë që është në gjendje të realizojë rezultatet e kërkuara”, thuhet në opinion.
Komisioni i Venecias kujton nga përvoja se “kontrollimi i masave është problematik nga pikëpamja operacionale dhe për këtë arsye duhet të ketë një model të saktë për secilin”.
“Për ta bërë të zbatueshme këtë reformë, koncepti përfundimtar për Vettingun dhe ndryshimet përkatëse kushtetuese dhe legjislative duhet të përgatiten mbi bazë të një dialogu të sinqertë dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët e interesuara, Ministrinë, KGJK-në, KPK-në, por edhe shoqërinë civile dhe akademikët e interesuar”, thuhet në dokument.
Në fund të opinionit, Komisioni i Venecias thotë se mbetet në dispozicion të institucioneve të Kosovës që të ndihmojë edhe më tej në këtë çështje.
(Kosova Sot Online)
