Më shumë se gjysma e investimeve kineze në Europë, janë në Ballkanin Perëndimor

  • G.G /
  • 01 July 2022 - 13:25
Më shumë se gjysma e investimeve kineze në Europë, janë në Ballkanin Perëndimor

Moszhvillimi ekonomik dhe reduktimi i kapaciteteve demokratike, si dhe qasja e rezervuar dhe prania e pamjaftueshme e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, i kanë mundësuar Kinës që të pozicionohet si një faktor i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor.

Kjo u vlerësua në prezantimin e studimit të Qendrës Forenzike Digjitale (DFC) mbi praninë dhe ndikimin e Kinës në rajon.

Analiza nxjerr përfundimin se Ballkani përfaqëson një trampolinë dhe një urë për vendosjen e pranisë së rëndësishme ekonomike kineze në Evropë.

Theksohet se ndikimi më i fortë i Kinës është i dukshëm në Serbi dhe se Mali i Zi është një nga tetë vendet më të rrezikuara me prezencë kineze.

Kina ka nisur fuqishëm të investojë në Maqedoninë e Veriut, por nuk ka arritur të mbajë ndikim të rëndësishëm.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, gjegjësisht në Republikën Sërpska, është i pranishëm një numër i madh i investimeve kineze në infrastrukturë.

Shteti i vetëm që ka shënuar rënie të investimeve kineze është Shqipëria.

Sipas të dhënave që kanë dalë nga studimi, më shumë se gjysma e investimeve të kompanive kineze në Evropë, janë të vendosura pikërisht në Ballkanin Perëndimor.

Ndikimi i pushtimit rus në Ukrainë

Megjithatë, analiza e DFC-së saktëson se veprimi kinez në rajonin e Ballkanit Perëndimor u vështirësua pas pushtimit rus të Ukrainës, sepse ajo luftë bashkoi vendet e BE-së dhe forcoi partneritetin e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tyre, kjo situatë dhe bashkëpunimi me NATO-n do t’ia vështirësojë Kinës arritjen e synimeve afatgjata në Evropë.

Ambasadorja e Malit të Zi, Milica Pejanoviq – Gjurishiq nga Aleanca Atlantike e Malit të Zi. vlerësoi se agresioni rus kundër Ukrainës testoi fuqinë dhe kufizimet e partneritetit kinez-rus.

“Edhe pse të dy vendet kundërshtojnë rendin ndërkombëtar, Pekini angazhohet për një sistem të ndryshuar, por të qëndrueshëm, ndërsa Moska zyrtare këmbëngul për përmbysjen e tij agresive”.

“I ngarkuari me punë i Ambasadës amerikane në Mal të Zi, Chris Carber, vlerësoi se Kinës i përshtatet paqëndrueshmëria në botë, me qëllim ndryshimin e rendit ndërkombëtar”.

“Kina është i vetmi vend që synon të riformësojë rendin ndërkombëtar dhe fuqinë gjithnjë në rritje ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike për ta bërë këtë”, tha Carber.

Nga investimet kineze në Mal të Zi, ai vuri në dukje ndërtimin e seksionit të parë të autostradës Tivar-Bolare dhe rindërtimin ekologjik të termocentralit në Pljevlje.

“Duke qenë se Mali i Zi mëton të tërheqë investime të huaja, duhet të kemi parasysh se klima e tij e hapur e investimeve, ndjeshmëria ekonomike ndaj goditjeve të jashtme dhe borxhi i madh ndaj Kinës do të përbëjnë rreziqe të konsiderueshme”, vlerësoi Carber.

Ai theksoi se themelet e rendit ndërkombëtar përballen me sfidë të vazhdueshme për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, i cili ka pasoja në të gjithë botën, pavarësisht se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e arriti asnjë nga qëllimet strategjike.

“Në vend që të shkatërronte Ukrainën e pavarur, ai e forcoi atë. Në vend se të ndante NATO-n, ai e bashkoi. Në vend se të tregonte fuqinë e Rusisë, ai e dobësoi. Duke synuar që të dobësojë rendin ndërkombëtar, ai i bashkoi vendet për ta mbrojtur atë”.

Ngritja e Kinës, sfidë për SHBA-në dhe BE-në

Milica Pejanoviq – Gjurishiq nga Aleanca Atlantike tha se Kina, me përpjekjet e saj për të riformësuar rendin aktual botëror, ka ambicie të bëhet fuqi udhëheqëse globale, gjë që është sfidë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Është një shtet që nuk ndan të njëjtat vlera demokratike dhe që mbyt të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.

Pejanoviq – Gjurishiq theksoi se themelet e veprimit kinez, veçanërisht në Ballkan, janë të pranishme përmes iniciativës globale “Brezi dhe rruga”, si dhe forumit “16 + 1” (16 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe Kina).

“Në thelb, këto janë përpjekje për të riformësuar rendin aktual botëror, që është i bazuar në konceptin e demokracisë liberale, në drejtim të përshtatjes me qëllimet kombëtare dhe interesat strategjike të Kinës”, tha ajo.

Krahas pranisë ekonomike, siç konstaton ajo, Kina kërkon të forcojë praninë e saj nëpërmjet bashkëpunimit politik me vendet e Ballkanit.

Mungesa e transparencës në Serbi

Sipas analistit kryesor të Qendrës digjitale ligjore, Milan Jovanoviq, bashkëpunimi i Kinës me Serbinë realizohet përmes investimeve, kredive, kulturës dhe arsimit, si dhe sektorit të sigurisë.

Falë mbështetjes së drejtpërdrejtë nga politikanët dhe mediat, Kina është prezantuar si partneri më i rëndësishëm strategjik i Serbisë.

Në dekadën e fundit, në Serbi janë identifikuar të paktën 61 projekte, në faza të ndryshme të përfundimit nga autorë kinezë ose në bashkëpunim me ta, vlera e të cilave është të paktën 18.7 miliardë euro.

Sipas Jovanoviqit, mungesa e transparencës është diçka që i karakterizon pothuajse të gjitha projektet kineze në Serbi.

“Angazhimi politik i Beogradit ndaj Kinës ka mundësuar që ndikimi ekonomik, si mjeti kryesor i veprimit kinez, të lulëzojë në atë vend”.

Mali i Zi në rrezik

Sipas raportit të Qendrës për zhvillim global, Mali i Zi është në mesin e tetë vendeve më të rrezikuara me praninë kineze, tha Jovanoviq, duke saktësuar se në këtë mënyrë ajo radhitet me shtetet si Laosi, Mongolia, Taxhikistani, Kirgistani dhe Pakistani.

Në shtatë vjetët e fundit, tha Jovanoviq, vëllimi i pjesëmarrjes së kapitalit nga vendet me regjime autoritare hibride është rritur, ndërkaq është shënuar rënie e dukshme e investimeve nga vendet demokratike dhe perëndimore.

Sipas DFC-së, marrëveshja për kredi me bankën shtetërore kineze, prej gati një miliard eurosh, ka shkaktuar polemika të shumta për shkak të mostransparencës.
DFC-ja thekson se Mali i Zi, si vend kandidat për anëtarësim në BE, për shkak të institucioneve të dobëta dhe të politizuara, për Kinën paraqiste mundësinë për t’u pozicionuar në një vend strategjik të rëndësishëm me port dhe qasje në tregun e BE-së.

“Si një anëtar i ri i NATO-s, me një kapacitet relativisht të dobët institucional, Mali i Zi është një objektiv ideal strategjik për zgjerimin e ndikimit kinez në Evropë”, thuhet në raportin e DFC-së.

Bosnjë e Hercegovina e dyta për nga rëndësia e projekteve të Pekinit

Së bashku me Serbinë, Bosnjë e Hercegovina është vendi i dytë, në të cilin Kina ka pasur ndikimin më të rëndësishëm ekonomik dhe politik në Ballkanin Perëndimor. DFC ka identifikuar 29 projekte kineze, me vlerë mbi pesë miliardë euro, nga të cilat një numër i madh investimesh në sektorët e energjisë dhe transportit janë në Republikën Sërpska.

“Lidhja politike dhe ekonomike midis Republikës Sërpska dhe Kinës është logjike, duke pasur parasysh se situata politike në Serbi po kalon drejtpërdrejt në Republikën Sërpska”, thuhet në studimin e DFC-së.

Sipas DFC-së, këto projekte, ashtu sikurse edhe projektet kineze në Serbi, monitorohen për mostransparencë dhe për praktika të mundshme të korrupsionit.

Kina e kufizuar në Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri

Kina ka filluar të investojë fuqishëm edhe në Maqedoninë e Veriut dhe vlera e 15 projekteve atje është gati 655 milionë euro. Projektet e tjera kineze në Maqedoninë e Veriut janë kryesisht donacione në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.
Sipas DFC-së, Shqipëria është një nga vendet e pakta në rajon me rënie të investimeve kineze në pesë vjetët e fundit.

DFC-ja vlerëson se niveli i kredisë së ofruar nga Kina mund të arrijë në 18 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) në Mal të Zi, 12 për qind në Serbi, 10 për qind në Bosnjë e Hercegovinë dhe shtatë për qind të BPV-së në Maqedoninë e Veriut.

DFC-ja arrin në përfundimin se plani i ri ekonomik dhe investues i BE-së për Ballkanin Perëndimor prej 3.2 miliardë eurosh, është përgjigje e mirë ndaj depërtimit të Kinës në rajon. Megjithatë, dilema mbetet nëse ai plan do të sigurojë një stimul të mjaftueshëm dhe do të inkurajojë shtetet që të përmbahen plotësisht nga partneritetet më të rrezikshme me palët e treta.

(Kosova Sot Online)