Kush është Nuredin Lushtaku – ish-eprori i UÇK-së i njohur edhe për probleme në Ministri e Kuvend

  • A.P /
  • 03 July 2022 - 15:05
Kush është Nuredin Lushtaku – ish-eprori i UÇK-së i njohur edhe për probleme në Ministri e Kuvend

Plagosja e një polici në Skënderaj në mesnatë e ka çuar në Polici ish-nënkryetarin e kësaj komune, Nuredin Lushtakun. Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dyshohet se u përfshi në një sulm me armë ndaj dy zyrtarëve policorë gjatë një kontrolli nga organet e rendit.

Dy policët u dërguan për trajtim në QKUK, ndërsa Lushtaku për rastin u deklarua nga stacioni policor. I mohoi akuzat për plagosje, por foli për një përleshje, duke konfirmuar se me të ishin edhe vëllezërit dhe djemtë e tij.

“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia. Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tut kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagos na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagos askënd, nuk kemi përdorë armë”, tha Lushtaku për Kallxo.com.

Më pas, Artan Qerkini, avokat i Lushtakut, konfirmoi  se klienti i tij është liruar.

“E kam vizitu Z. Lushtaku. Ai është liruar me procedurë të rregullt, meqenëse nuk ekziston ndonjë dyshim i arsyeshëm që ai ka përdorur armë gjatë incidentit në fjalë. Policia do t’i zhvillojë hetimet. Ne jemi të interesuar që hetimet të zhvillohen të plota në mënyrë që të zbardhet e gjithë e vërteta e këtij rasti. Pa zhvillime të hetimeve natyrisht ne do t’i përdordim të gjitha ato mjete juridike që i kemi në dispozicion varësisht prej rezultatit të procedurës së hetimeve”, tha ai.

Me Lushtakun, në ndalim policor u mor edhe vëllai i tij.

Kush është Nuredin Lushtaku?

Komandant i Gardës së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ishte puna e parë publike e Nuredin Lushtakut pas luftës. Për këtë punë ai nuk do të njihej shumë, deri në vitin 2006, kur vdiq presidenti Ibrahim Rugova.

Me vendim të Lushtakut, garda ceremoniale e TMK-së nuk u lejua të merrte pjesë në varrimin e Rugovës. Për këtë, ai nuk u bë pishman kurrë. Këtë e rikonfirmoi sërish sivjet, në 16-vjetorin e vdekjes së Rugovës.

Ai tha se njëra ndër arsyet se pse kishte refuzuar që në varrimin e Rugovës të marrë pjesë garda ceremoniale janë, sipas tij, deklaratat që Rugova i ka bërë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosvoës dhe për komandantin Adem Jashari e shokët e tij.

“Prej neve është kërkuar që të marrim si gardë e Kosovës në ceremoninë e varrimit. Agim Çeku ka kërkuar në atë kohë, kemi diskutuar dhe arsyeja e imja që i kam thënë jo ka qenë duke u bazuar në deklaratat e Rugovës ku UÇK-në dhe komandantin Adem Jasharin me shokët e tij paraluftës i ka quajtur dorë e zgjatur e Serbisë, i ka quajtur punëtorë të shërbimeve sekrete serbe. Në kohën kur Adem Jashari me grupin e tij janë dënuar, Rugova ka thënë se ata mund të jenë njerëz të UDB-së së Serbisë”, është shprehur Lushtaku

Komandanti i TMK-së, Agim Çeku, e as paralajmërimet se KFOR-i mund të merrte masa për shkak të këtij veprimi, s’e kishin bindur Lushtakun ta dërgonte gardën ceremoniale në atë varrim.

Probleme në Ministri e në Kuvend

Për natyrën e njërit prej themeluesve të UÇK-së, një rast si ky i fundit nuk përbën befasi.

Në vitin 2012, sa ishte zëvendësministër i Diasporës, Nuredin Lushtaku nuk i kishte kursyer as grushtet dhe shpullat në një përplasje për ta sqaruar një mosmarrëveshje me atëherë drejtorin e Departamentit për Politika të Diasporës në këtë dikaster, Mustafë Xhemajlin.

“Koha Ditore” raportonte se Lushtaku e kishte goditur Xhemajlin pasi ky i fundit kishte refuzuar ta punësonte një person të afërt të tij. Rasti nuk ishte raportuar në polici dhe gazeta raportonte se konflikti kishte nisur të zgjidhej sipas kanunit.

Si deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Lushtaku për pak sa nuk ishte protagonist i një sulmi të pa parë më herët në Kuvendin e Kosovës, në një seancë ku po diskutohej për vlerat e luftës.

Më 27 dhjetor të vitit 2016, Lushtaku i ishte sulur atëherë deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca duke bërtitur, teksa ky i fundit po e lexonte një letër të ish-kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku. Në atë letër, Sami Lushtaku akuzonte bashkëpartiakët e tij për dënimin që i ishte shqiptuar në procesin gjyqësor Drenica 1.

Nuredin Lushtaku kishte vendosur t’i përgjigjej fizikisht Glauk Konjufcës.

Kjo ishte një prej rasteve të rralla kur Nuredin Lushtaku po bëhej protagonist në një “diskutim parlamentar”. Juristi me profesion nuk e kishte marrë fjalën ndonjëherë kur në Kuvend diskutohej për ndonjë ligj.

Me këtë akt, vlerësohej se Nuredin Lushtaku po i dilte në mbrojtje kushëririt të tij, Sami Lushtakut, ndërsa ky ishte kryetar i Skënderajt.

Një vit më pas, Nuredin Lushtaku vendosi të dilte kundër Sami Lushtakut, pasi ky, si kryetar i degës së PDK-së në Skënderaj, i kishte përjashtuar disa zyrtarë, përfshirë deputetin Bekim Haxhiu.

Nuredin Lushtaku ishte pozicionuar qartë kur një debat në distancë kishte nisur mes ish-kryetarit të Skënderajt, Bekim Jasharit dhe Sami Lushtaku. Në përplasjet mes këtyre, Nuredin Lushtaku në dhjetor të vitit 2020 i dha plotësisht të drejtë akuzave të Bekim Jasharit.

“Deklaratat e Bekim Jasharit për Sami Lushtakun i shoh si të vërteta. Samia është e vërtetë që është larguar nga Kosova në vitin 1993, ndërsa është kthyer në vitin 1998 edhe pse mundësitë kanë qenë që të kthehen edhe më herët”, ka thënë Nuredin Lushtaku 

Ai thoshte po ashtu se Sami Lushtaku kishte blerë tokë gjatë luftës.

“Është e vërtetë që ka blerë tokë gjatë luftës, kjo ka ndodh pas ofenzivës së shtatorit. Unë nuk e di kujt ka mund t’i shkojë mendja në atë kohë të blejë tokë, kur Drenica dihet se ka qenë mjerim, njerëzit s’kanë pasur strehim”, ka thënë Lushtaku.

Nuredin Lushtaku aktualisht përballet me një proces gjyqësor. Ai është një nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”.

Në janar të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dhënë verdiktin e saj në rastin e njohur si “Veteranët”, ku për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë akuzuar ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Themelorja kishte vendosur për lirimin e 12 të akuzuarve, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishin pjesë e Komisionit.

Gjykata e Apelit më 26 prill e ka kthyer këtë rast në rigjykim.

Sipas aktakuzës, ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

 

(Kosova Sot Online)