Ministri irlandez merr shembull marrëveshjen me Irlandën Veriore: Marrëveshja me Serbinë kërkon kompromise

  • E.K /
  • 04 July 2022 - 11:37
Ministri irlandez merr shembull marrëveshjen me Irlandën Veriore: Marrëveshja me Serbinë kërkon kompromise

Ministri i Shtetit për Çështjet Europiane të Irlandës, Thomas Byrne nga Prishtina e inkurajoi Kosovën që të përkushtohet në dialogun me Serbinë. Në një konferencë të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministren e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen, Byrne tha se nga ky proces pati zhvillime pozitive së fundmi.

Byrne tha seky dialog “është mënyra më e mirë për t’i zgjidhur diferencat apo dallimet dhe për ta avancuar perspektivën europiane të Kosovës”.

Ai përmendi edhe rrugën e vështirë të pajtimit që Republika e Irlandës e pati me Irlandën Veriore.

“Ne në Irlandë e dimë që mund të jetë një rrugë e vështirë për pajtimin. Kërkon durim dhe çdo marrëveshje e paqes ka kompromise për të gjitha anët. Kjo ishte edhe në marrëveshjen që e kemi pasur me Irlandën Veriore. Kemi pasur disa çështje edhe me Kushtetutën e Irlandës Veriore dhe kemi hequr dorë nga disa çështje”, tha Byrne.

Tani, ai tha se me Irlandën kanë parimet e barazisë, njohjes së njëra-tjetrës dhe marrëdhënie të mira.

Ministri irlandez tha se Qeveria e Kosovës po punon mirë.

(Kosova Sot Online)