Tragjedi: Zjarri në shtëpi i merr jetën foshnjes 6-muajshe, gjyshja po gatuante në bodrum

  • E.K /
  • 08 July 2022 - 10:22
Tragjedi: Zjarri në shtëpi i merr jetën foshnjes 6-muajshe, gjyshja po gatuante në bodrum

Një ngjarje tragjike u shënua gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Tiranë.

Një banesë u përfshi nga flakët në rrugën “Gani Domi” dhe për pasojë humbi jetën një foshnjë 6-muajshe. Mësohet se kanë qenë banorët e zonës ata që kanë sinjalizuar policinë pasi kanë parë tymin.

Një nga fqinjet ka folur për mediet dhe tregon se si ndodhi ngjarja. Ajo u shpreh se foshnja kishte dalë gjallë nga banesa dhe mjekët i dhanë menjëherë ndihmën e parë, por për fat të keq humbi jetën në spital.

“20-30 vjet kanë që rrinë këtu, janë njerëz të mirë dhe të urtë. Jetonte me gocën që kishte fëmijën 6-muajsh, gocën e kishte të divorcuar. Kushte siç jetojnë gjithë shqiptarët, në ato kushte ishin. Të gjithë ne i dhamë ndihmën e parë. Qante çuni i vogël me ulërima, bërtiste foshnja, ulëriste. Hyri goca brenda, por ishte e pamundur. Janulla (gjyshja) tha kam qenin, e harroi djalin. Pastaj tha ua kam foshnjën. Bërtiti. Nëna e fëmijës kishte dalë të pinte kafe. Kaq ishte gjithë skema. Tym i madh, kur dolëm ne çfarë të shikonim. Vajza mori direkt zjarrfikësen. Zjarrfikësja erdhi shpejt, por kur e kanë nxjerrë polici foshnjën po qante. E mori nipi im e futi në ambulancë, fëmija ishte gjallë. I vunë aparatet, por kishte vdekur në spital”, tha fqinja.

Dritaret e banesës kanë qenë me kangjella dhe kjo e ka bërë të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Fatkeqësisht foshnja ndërroi jetë në spital, ndërsa gjyshja me të cilën ndodhej në shtëpi është në gjendje të mirë shëndetësore. Në momentin që ka ndodhur ngjarja gjyshja ka qenë në bodrum duke gatuar.

Gjyshja ka dalë jashtë për të kërkuar ndihmë te banorët, por flakët kanë shpërthyer menjëherë duke përfshirë gjithë banesën. Prindërit e foshnjës nuk ndodheshin në shtëpi në momentin e zjarrit dhe janë lajmëruar nga fqinjët.

Në momentin që është nxjerrë foshnja, prindërit e kanë marrë dhe menjëherë janë nisur drejt spitalit, por fatkeqësisht vogëlushi nuk mundi t’ia dilte.

Në vendngjarje shkuan forcat zjarrfikëse, që bënë të mundur vendosjen nën kontroll të flakëve. Ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

(Kosova Sot Online)