Kosova drejt rregullimit të kripto-valutave
Kryesuesja e grupit punues, Kusari-Lila ka thënë se po synojnë të jenë në hap me zhvillimet aktuale duke shtuar se dixhitalizimi është tema numër një për të gjitha shoqëritë sot.
Ajo ka thënë se kjo iniciativë ka lindur nga nevoja që sektori i kripto-aseteve të jetë i rregulluar deri në një masë.
“Ky projektligj përmban dispozita që mbulojnë procedurat e licencimit të operatorëve të angazhuar në këtë treg, dispozitat për organizmin e operatorëve në treg, mbikëqyrjen e këtij tregu nga institucionet, mbrojtjen e konsumatorëve, transparencën e operimit si dhe mbrojtjen nga praktikat abuzive në treg. Ky projektligj, përveç çështjeve rregulluese ka për qëllim të hap tregun për investime në lëmin e tregtimit të kripto-aseteve si dhe emetimit të kripto-aseteve. Lidhur me emetimin e kripto-aseteve ne kemi nevojë të konsultohemi me disa nga institucionet prezente edhe sot para se të përfshijmë dispozitat që e rregullojnë çështjen e emetimit. Ky projektligj hap rrugë edhe në krijimin e profileve biznesore në sektorin financiar që ndërlidhen me teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka bërë të ditur se projektligji parasheh dy licenca dhe një mori autorizimesh, ku sipas saj, licencat e parapara me këtë projektligj janë të dy profileve, profilit të agjentit të autorizuar për teknologji dixhitale dhe profilit të ofertuesit të shërbimeve inovative.
(Kosova Sot Online)
