
I nxehti në Europë, Britania pritet të regjistrojë temperatura rekord, situata në shtetet e tjera

Në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar u paralajmërua për nxehtësi ekstreme, ndërsa Spanja veriore regjistroi temperatura prej 43 gradë Celsius të hënën, shkruan BBC.
Zjarret në Francë, Portugali, Spanjë dhe Greqi kanë detyruar mijëra njerëz të evakuohen nga shtëpitë e tyre.
Britania e Madhe pritet të shohë ditën e saj më të nxehtë ndonjëherë dhe ekspertët thonë se pjesë të Francës përballen me një “apokalips të nxehtësisë”.
Disa pjesë të Francës panë ditët e tyre më të nxehta ndonjëherë me qytetin perëndimor të Nantes që regjistroi 42 gradë Celsius.
Zjarret në ditët e fundit kanë detyruar më shumë se 30,000 njerëz të largohen. Gironde, një rajon i njohur turistik në jug-perëndim, është goditur rëndë nga i nxehti, ndërsa zjarrfikësit që po luftojnë për të kontrolluar flakët që kanë djegur gati 17,000 hektarë.
Mbretëria e Bashkuar pati një nga ditët e saj më të nxehta të hënën, me një temperaturë maksimale prej 38.1C të regjistruar në Suffolk, në Anglinë lindore. Parashikuesit thonë se të martën mund të shihen temperatura mbi 40 gradë Celsius, me paralajmërime ekstreme të nxehtësisë që mbulojnë Anglinë qendrore, veriore dhe juglindore.
Pati ndërprerje të rënda të udhëtimit me trenat e anuluar dhe fluturimet në aeroportin Luton të Londrës u pezulluan. Të hënën, Holanda regjistroi ditën e saj më të nxehtë të vitit deri më tani. Në qytetin jugperëndimor të Westdorpe, temperaturat arritën në 33.6 gradë Celcius.
Dhe pritet të jetë më e nxehtë të martën, me temperatura të parashikuara deri në 39 gradë Celsius në rajonet jugore dhe qendrore të Holandës.
Parashikuesit thonë se vala e të nxehtit po shkon drejt veriut, ku Belgjika dhe Gjermania pritet të kenë temperatura rreth 40 gradë Celsius në ditët në vijim.
Në Spanjë dhe Portugali, më shumë se 1000 vdekje i janë atribuar vapës ditët e fundit.
Temperaturat në Portugali arritën në 47 gradë Celsius të enjten, një rekord për korrikun. Pjesa më e madhe e vendit është vënë nën rrezik të lartë zjarri nga zyra kombëtare meteorologjike IPMA.
Mediat lokale raportojnë se 300 njerëz nga komuna veriore e Murçës janë evakuuar për shkak të rrezikut nga zjarri, autoritetet janë në ankth për të shmangur rastin e vitit 2017, kur 66 persona humbën jetën nga zjarret.
Në Spanjë, të paktën 20 zjarre janë jashtë kontrollit. Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë Celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.
(Kosova Sot Online)