Mbytja makabre e 7-vjeçares në Himarë që tronditi Shqipërinë dhe Kosovën

  • G.G /
  • 03 August 2022 - 11:57
Mbytja makabre e 7-vjeçares në Himarë që tronditi Shqipërinë dhe Kosovën

Dje në mesditë, një 7-vjeçare, u godit nga një skaf në plazhin e Potamit në Himarë, i cili po drejtohej nga oficeri i Policisë, Arjan Tase. Sipas mediave në Shqipëri, vogëlushja Jonada Avdia që kishte ardhur me prindërit nga Anglia për pushime, për shkak të lëndimeve të marra, ka vdekur në vendin e ngjarjes. Vdekja e saj tragjike tronditi gjithë Shqipërinë e Kosovën.

Pas ngjarjes tragjike, polici Arjan Tase, është arrestuar, ndërsa më vonë kreu i Policisë së Shtetit e ka përjashtuar atë nga radhët e Policisë së Shtetit.

Një veprim tjetër është ndërmarrë edhe sot. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, pas “analizës së hollësishme, bazuar në konkluzionet e nxjerra nga analiza e situatës”, mori vendimin për shkarkimin nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues dhe të personave përgjegjës në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë.

Abcnews.al dje raportoi se oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.

Në media qarkulluan disa fotografi ku shihet se babai i Jonadës nga tronditja e madhe bie në gjunjë.

Të shumta kanë qenë reagimet për vdekjen e 7-vjeçares.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ‘uron’ që fajtori ta marrë ndëshkimin e merituar, derisa pati një porosi për Policinë.

“Tragjedia e familjes së të miturës në Himarë është rrëqethëse dhe s’ka fjalë ngushëlluese për dhimbjen.Uroj që fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të nxjerrin mësimet e duhura e t’u japin mësimin e duhur trupave përgjegjëse!”, ka thënë Rama.

Reagim për këtë ngjarje të rëndë pati edhe kreu i PD-së, Sali Berisha. Ai tha se nuk ka siguri në plazhe.

 “Siguria në plazhe ZERO! Për ligjin nuk pyet njeri. Krim i tmerrshëm! Skafisti, shef policie në Elbasan, A. Tase merr jetën e një fëmije 5 vjeç në det, në Himarë. I shpreh ngushëlimet më të ndjera familjes për engjëllin që humbi. Dënoj me forcën më të madhe këtë krim të tmerrshëm nga ata për të cilët ligji nuk ekziston. Dënoj gjithashtu mungësen e plotë të sigurisë në plazhet tona”, ka thënë Berisha.

Ndërsa edhe ish-presidenti, tani kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kërkuar hetime të thella dhe ndëshkim të ashpër për shkelësit e ligjit.

“Thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike në plazhin e Himarës, ku zyrtari i lartë i Policisë së Elbasanit A.T i mori sot jetën një vajze të mitur 7-vjeçare, e cila kishte ardhur me familjen për pushime në Shqipëri. Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve për humbjen e vogëlushes së tyre të shtrenjtë, dënoj me forcën më të madhe situatën katastrofike të sigurisë publike në plazhe, në pikun e sezonit turistik, fatkeqësisht me pasoja kaq tragjike të përsëritura. Hetim i menjëhershëm i thelluar dhe ndëshkim të ashpër për shkeljen e ligjit nga drejtuesit e Policisë së Shtetit! Mjaft arrogancës dhe papërgjegjshmërisë në Policinë e Shtetit!”, ka shkruar Meta.

Një postim prekës për vdekjen e Jonadës e ka bërë gazetari Blendi Fevziu.

“Një familje nuk do ta shohë më kurrë vajzën 7 vjeçare. Nuk do të zgjohet në mëngjes me buzëqeshjen e saj. Nuk do t’i thotë “natën e mirë”. Nuk do të ulen as bashkë në tavolinën e drekës dhe as do të shohin TV. Një familje është gjymtuar sot duke humbur engjëllin e saj 7 vjeçar”, ka shkruar Fevziu në Facebook.

Gjithashtu, Fevziu tha se prej 15 vitesh, çdo sezonë flet me ministrat e Brendshëm dhe drejtorat e Policisë, për shkak se është “i trembur” nga kjo “barabari”.

“Nuk i di rrethanat e aksidentit dhe nuk merrem dot me to pa pasur më shumë detaje. Por e di shumë mirë që kjo është një nga historitë e paralajmëruar çdo ditë. Që prej më shumë se 15 vitesh flas çdo sezon personalisht me ministrat e Brendshëm dhe Drejtorat e policisë i trembur nga kjo barbari. Si notar dhe zhytës i përditshëm jam i tmerruar nga imazhet që shoh. Deti shqiptar është një xhungël ku ligjin nuk e bën as policia, as pushteti lokal, as ministria e turizmit, as marina dhe askush tjetër”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, në mbrëmje qytetarët kanë ndezur qirinj të kryeministria, ku kanë kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

E pas kësaj ngjarje tragjike, familja Avdiu ka hapur dyert e të pames. Një nga familjarët ka njoftuar se varrimi do të bëhet të mëkurën në ora 15:00.

“Shokë dhe miq, ju njoftojmë me hidhërim të thellë vdekjen e mbesës tonë Jonada Bledar Avdia, në moshën 7 vjeçare, nga një aksident tragjik në plazhin e Himarës. Varrimi bahet dt. 03.08.2022, ora 15:00, në adresën: Familja Avdia, Rruga “Stanislav Zuber”, afër Intesa San Paolo Bank Laprake”, ka shkruar Ismet Avdia, i cili ka publikuar fotografinëe Jonadës.

Detaje tjera për vdekjen e Jonadës ka ndarë gazetarja, Esmeralda Keta.

Sipas gazetares pas tragjedisë askush nga pushuesit nuk kishte zemër e guxim të nxirrte nga deti trupin e pajetë të vogëlushes, veç një pushuesi holandez i cili punonte tek ndihma e shpejtë.

Ajo ka shkruar se nëna e Jonadës u ka thënë pushuesve që ta mbanin fort njëri-tjetrin.

Për vdekjen e Jonadës, nesër nga ora 19:00 do të organizohet një protestë para Ministrisë së Brendshme me moton “Nuk e vrau varka, por shteti”. 

(Kosova Sot Online)