Rakiq s’është kryetar i Listës Srpska, është marionetë e bossit Radojiçiq

  • A.P /
  • 04 August 2022 - 22:05
Rakiq s’është kryetar i Listës Srpska, është marionetë e bossit Radojiçiq

Goran Rakiq duket një politikan plotë siklet. Ai është ministër në Qeverinë e shtetit që e mohon, por që ia vjelë priviliegjet edhe me kushtin që e “e njeh” Republikën e Kosovës, duke u vozitur me veturën që mban targa RKS, duke punuar në një zyrë ku shkruan Republika e Kosovës ose edhe duke marrë pagën e saj.

Sa herë që shfaqet një problem në Veri, Rakiq është fytyra kryesore e serbëve të Veriut. Në situata të tilla, ai e thotë me plotë servilitet se ka folur nga disa herë në telefon me Vuçiqin, por në fakt, ai është vetëm kukulla. Pushtetin real e faktik atje e ka Milan Radojiçiq.

Rakiq është kryetar formal i Listës Srpska e cila haptas po e sfidon qeverinë Kurti duke bërë aksione kundër saj, por sërish nuk është Rakiq ai që i tërheq penjtë, këtë e bën Milan Radojiçiq. Kjo u dëshmua edhe sot kur Rakiq takoi në zyrat e Ministrisë për Kthim ambasadorin Jeff Hovenier i cili ia bëri të qartë se cfarë qëndrimi kanë amerikanët rreth vendimeve të Kryeministrit Kurti për targa dhe dokumente.

Kur foli me mediat pas takimit me Hovenier, Rakiq u kujdes që ta lëvdojë ambasadorin amerikan për rolin që luajti të dielën për ndaljen e tensioneve në veri, por pak orë më vonë Lista Srpska, kryetar i së cilës është Rakiq, lëshoi një komunikatë për media ku sulmoi ashpër Ambasadorin amerikan pëe qëndrimet e shprehura ndaj Radojíçiqt si njeriu kryesor i krimit të organizuar në pjesën veriore.

Srpska tha se Ambasadori nuk mund të flas pa fakte dhe se për ato që akuzohet Radojiçiq s’ka vendim gjyqësor.

 Ata thanë se vlerësimet e ambasadorit janë paushalle dhe se duhet të paraqes prova. Nuk dihet nëse Rakiq, është duke lujajtur lojën e Radojiçiq me vullnet apo është bërë marionetë e tij nga frika. Nëse është duke ndodhur kjo e dyta atëherë Rakiq duhet ta sqarojë këtë pozicion, nëse është duke e mbrojtur vullnet nënkryetarin e tij Milan Radojiçiq, atëherë ndërkombëtarët dhe qeveria e Kosovës duhet t’i shqyrtojnë raportet me të.

(Kosova Sot Online)