Abazoviq nga Dubrovniku: Isha fëmijë atëherë kur Mali i Zi bëri turpin më të madh në histori

  • G.G /
  • 10 August 2022 - 09:59
Abazoviq nga Dubrovniku: Isha fëmijë atëherë kur Mali i Zi bëri turpin më të madh në histori

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka vizituar privatisht qytetin e Dubrovnikut teksa ka kritikuar shtetin që tash e drejton për bombardimet në këtë qytet gati 31 vite më parë. Dubrovniku është bombarduar nga territori i Malit të Zi nga Ushtria Jugosllave kur malaziasit jetonin ende një shtet me Serbinë.

Abazoviq ka qenë në vizitë bashkë me ministrin e brendshëm, Filip Axhiq, raporton Vijesti, transmeton Express.

“Si fëmijë më kujtohet bombardimi i Dubrovnikut – turpi më i madh i Malit të Zi në historinë e tij moderne, pastaj një shtet i robëruar në kthetrat e nacionalizmit, urrejtjes dhe përfitimit të luftës”, ka thënë Abazoviq.

Ai është shprehur i lumtur që mund të ecë lirshëm në Dubrovnik e të flas me njerëzit e këtij qyteti të cilët i ka cilësuar si njerëz të dashur.

Abazoviq po pretendon se po e ushtron pushtetin për të zbutur tensionet ndërmjet nacionaliteteve.

Së fundmi ai e ka nënshkruar një marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe – akt që po ia rrezikon pozitën e kryeministrit. 

(Kosova Sot Online)