Detajet e fundit nga tragjedia në Mal të Zi: Mes viktimave ishin dy fëmijë, sulmuesi u vra nga një bashkëqytetar

  • A.P /
  • 12 August 2022 - 22:13
Detajet e fundit nga tragjedia në Mal të Zi: Mes viktimave ishin dy fëmijë, sulmuesi u vra nga një bashkëqytetar

Në vendbanimin Cetinje të Medovinës në afërsi të Shtëpisë së Qeverisë, kanë mbetur të vrarë 11 persona, ndërsa gjashtë janë lënduar, mes tyre edhe një pjesëtar i policisë, kanë konfirmuar për Shërbimin Publik nga Drejtoria e Policisë. Sulmuesi mbeti i vrarë, dhe pritet konfirmimi nëse është vrarë në një përballje me policinë apo është vrarë nga një bashkëqytetar.

Prokurorja Andrijana Nastiq tha se dy fëmijë janë vrarë, dhe sipas dyshimeve fillestare, sulmuesi është vrarë nga një bashkëqytetar dhe jo nga policia, siç është raportuar më parë.

Mësojmë se tragjedisë i ka paraprirë një konflikt familjar, pas së cilës sulmuesi ka qëlluar rastësisht kalimtarët në rrugë.

Sipas informacioneve jozyrtare, sulmuesi është 34-vjeçari Vuk Boriloviq, i cili ka qëlluar edhe mbi fëmijët.

Dy të plagosur janë dërguar në spitalin e Cetinjës, ndërsa katër të plagosur janë transportuar në Qendrën Klinike në Podgoricë.

Qendra Emergjente e KCCG tha  se një burrë u pranua me lëndime të rënda në kokë dhe gjoks. Tre pacientë u desh të dërgoheshin me urgjencë në sallën e operacionit dhe lëndimet ishin mjaft të rënda.

Drejtoresha e Qendrës Klinike të Malit të Zi (QKKG), Ljiljana Raduloviq, ka thënë për mediat sonte se pas tragjedisë së sotme në Cetinje, në atë institucion janë pranuar katër persona të lënduar, tre prej të cilëve janë në rrezik.

Ivan Ivanoviq, akt Drejtori i spitalit të Cetinjës më herët tha për TVCG se dy personat të cilët janë shtruar në atë institucion janë jashtë rrezikut për jetën dhe se një pacient pas trajtimit është liruar për trajtim në shtëpi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ajo pjesë e qytetit u bllokua, u shtua prania e policisë dhe u mblodhën një numër i madh i qytetarëve të Cetinisë.

Nga dëshmitarët okularë në vendngjarje mësojmë se sulmuesi ka kaluar nëpër lagje dhe ka qëlluar rastësisht në drejtim të qytetarëve që ndodheshin aty.

(Kosova Sot Online)