Bie në prangat e Policisë një person në Podujevë, ia mori 3 mijë euro llapjanit, por vizën s’ia rregulloi kurrë

  • G.G /
  • 16 August 2022 - 08:26
Bie në prangat e Policisë një person në Podujevë, ia mori 3 mijë euro llapjanit, por vizën s’ia rregulloi kurrë

Rastet e mashtrimit me viza në Kosovë nuk janë të rralla. Shumë herë Sinjali ka raportuar se si kosovarët nga dëshira për të ikur nga vendi, kanë rënë pre e mashtruesve, të cilët u kanë premtuar viza. Një rast i tillë dyshohet se i ka ndodhur një qytetari në Podujevë, i cili ia ka dhënë një personi një shumë të të hollave, por vizën nuk e mori.

I.V., muaj më parë ia mori 3 mijë euro një personi në fshatin Lupç të Podujevës, me premtimin se do ia rregullonte vizën për të dalë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Viktima, vizën nuk e mori asnjëherë, gjë e cila bëri që ta denoncojë në Polici të dyshuarin.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar personin e dyshuar, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka pranuar se ka marrë paratë nga viktima, por që s’ka pasur për qëllim ta mashtrojë atë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 40-vjeçari të ndalohet për 48 orë dhe ngarkohet me veprën penale ‘Mashtrimi’.

(Kosova Sot Online)