Propozimet për marrëveshjen e madhe, çka shpalosi Vuçiq të dielën e çka Kurti sot

  • E.K /
  • 24 August 2022 - 13:33
Propozimet për marrëveshjen e madhe, çka shpalosi Vuçiq të dielën e çka Kurti sot

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka ndodhur më 18 gusht, por në publik janë plasuar pak informacione se çfarë është biseduar në tryezën e Brukselit, në dialogun e ndërmjetësuar nga Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Vuçiq ka folur të dielën ndërsa Kurti tek sot.

E për atë takim, Kurti ka folur sot – gjatë mbledhjes së Qeverisë. Por pse kryeminisrit i janë dashur gjashtë ditë për t’iu drejtuar publikut kosovar për takimin me Vuçiqin është se sipas Kurtit “ka ekzistuar një dakordancë që për mosprononcime pas takimit”, sipas kreut të ekzekutivit “të mos ndikojë negativisht në procesin e dialogut”.

“Unë nuk jam prononcuar pas takimit të datës 18 gusht, meqë ka pasur një dakordim intern për mosprononcim, për mosacarim nga brenga që kjo do të ndikonte negativisht në ecurinë e dialogut”, ka thënë Kurti, të mërkurën.

Por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk e ka zbatuar këtë pikë. Ai popullit serb i është drejtuar të dielën e 21 gushtit.

Vuçiq kishte një takim me serbët e Kosovës, më pas i është drejtuar popullit serb.

Fjalimin e kishte nisur duke pretenduar se “po persekutohen serbët”, sipas tij “Prishtina ka plane për dëbimin e serbëve të Kosovës”. Por siç raportoi po atë ditë “The Independent”, presidenti Vuçiq “nuk e ka dhënë as edhe një fakt” për aludimet e tij “në planet” e supozuara të Kosovës kundër serbëve të Kosovës.

E pos kësaj, Vuçiq kishte pretenduar se Albin Kurti i ka propozuar gjashtë pika.

Sipas presidentit serb këto pika ishin, “Parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe: njohja reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare; Zgjidhja e problemeve nga e kaluara: zgjidhja e problemit të të pagjeturve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, zgjidhja e çështjes së të zhvendosurve, e shkatërrimit të pronës private dhe publike e kthimi i artefakteve dhe që dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t’i paguajë të gjitha. Pastaj bashkëpunim në të ardhmen; Respektimi reciprok sa i përket të drejtave të serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës; Rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe dispozitat përfundimtare”.

Kurti të mërkurën e ka konfirmuar që këto pika janë propozuar, por thotë se “pala serbe nuk ka pasur vullnet që t’i diskutojë”.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit kosovar thotë se pika e pestë ka qenë e keqplasuar nga Vuçiq – duke shkaktuar kështu dezinformim.

Bëhet fjalë për “rinegocimin e marrëveshjeve”, Kurti thotë se ka kërkuar të “rikonsiderohen”, e jo të dialogohet sërish për to. Thotë se marrëveshja finale është qëllimi.

“Në kapitullin e pestë duhet t’i rikonsiderojmë marrëveshjet e deritanishme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre siç është plasuar dezinformata nga pala tjetër, por të shqyrtimit të asaj se cilat prej këtyne marrëveshjeve veç janë tejkaluar nga pranimi dhe nënshkrimit të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme e finale, e cilat prej tyre duhet të vazhdohet të implementohen dhe kapitulli i fundit duhet të vendosë qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit”, ka deklaruar Kurti.

Po ashtu kreu i ekzekutivit kosovar, ka thënë se Bashkimi Evropian i bëri katër propozime për dokumentet -pala serbe doli nga ndërtesa në Bruksel.

“Për lirinë e lëvizjes – ka ardhur si temë me katër propozime nga ana e BE-së, përkatësisht Lajçakut. Deklarata se ka pasë propozime nga njëra palë dhe gatishmëri për kompromis janë të pavërteta. Ne ende kemi qenë të hapur për diskutime në këtë drejtim, mirëpo nga ndërtesa ka dalë pala tjetër”, tha Kurti.

Po ndryshe nga Kurti, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se “Serbia ishte e përgaditur në dialog, por jo edhe pala tjetër”.

“Unë kam qenë si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam qenë as si polic, as si doganier, as si prokuror, as si gjykatës, e as si shef i kadastrës së Kosovës”, ishte përgjigja e Kurtit për ambasadorin amerikan.

Nuk dihet nëse do të ketë takim mes Kurtit e Vuçiqit para 1 shtatorit – datë kur fillon zbatimi i reciprocitetit për targa dhe dokumente.

Por emisari evropian, Miroslav Lajçak, ka thënë të enjten se “takimi Kurti-Vuçiq nuk ishte i kotë”, pra ka aluduar se “mund të ketë marrëveshje para 1 shtatorit”.

E për këtë Lajçak bashkë me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po qëndron në Kosovë.

Pasi të martën i ka takuar liderët e opozitës, sot do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Krejt këto zhvillime vetëm një javë para 1 shtatorit, një datë që ka ngjallur shqetësime në bashkësinë ndërkombëtare, për shkak se më 31 korrik serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në Jarinje dhe Bërnjak, duke krijuar mundësi për tension.

Pikërisht serbët lokalë kundërshtonin reciprocitetin në targa dhe dokumente – vendim i Qeverisë së Kosovës që u shty për 1 shtator me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. 

(Kosova Sot Online)