Komunat ngritën padi ndaj MASHTI-it, Nagavci e gjuan topin te ish-ministrat

  • E.K /
  • 24 August 2022 - 15:24
Komunat ngritën padi ndaj MASHTI-it, Nagavci e gjuan topin te ish-ministrat

Mbi 26 komuna të Kosovës, dje ngritën padi kundër Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë, për shkak të dëmit që i janë shkaktuar nga zbatimi i kontratës kolektive në sektorin e arsimit.

Për këtë çështje sot ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se për këtë padi është informuar nga mediat.

Ajo tha se prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive mes MASHTI dhe SBASHK, mirëpo, sipas saj, asnjëra prej tyre nuk është nënshkruar nga qeverisa e VV-së.

“Prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive në mes të MASHTI dhe SBASHK, të trija në prag të procesit zgjedhor dhe asnjëra prej tyre nga qeverisja e LVV. Për asnjërën nga këto kontrata kolektive nuk është bërë vlerësimi i ndikimit financiar dhe asnjëra prej tyre nuk është regjistruar në Ministrinë e Punës, siç parasheh legjislacioni në fuqi”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ministrja Nagavci tregoi se edhe kush i ka nënshkruar këto kontrata.

“Për sqarim kontrata e parë në vitin 2014 është nënshkruar në mes të ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Atë kohë, ishte Qeveria PDK-LDK kurse ministër i Financave, Bedri Hamza. Kontrata e dytë e vitit 2017, nënshkrues të kontratës kanë qenë ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Atëkohë ka qenë Qeveria PDK-LDK kurse ministër i Financave, Avdullah Hoti. Kontrata e tretë e vitit 2021. Nënshkrues të kontratës kanë qenë ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Ka qenë Qeveria PAN m( PDK-AAK-NISMA) dhe ministre e Financave, Hykmete Bajrami”, ka thënë e para e Arsimit.

Ajo tha se po ballafaqohen me pasojat e veprimeve të pararendësve dhe se nuk do të lejojnë “zhvatjen e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër që bjen ndesh me ligjin”.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës po ballafaqohemi me pasojat e veprimeve të pararendësve tanë, por nuk do të lejojmë as zhvatjen e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër që bjen ndesh me ligjin”, ka shkruar Nagavci.

(Kosova Sot Online)