Vuçiqi bëhet konstruktiv para takimit me emisarët: Mund t’i japim rrymë Kosovës, të mos u prishen pajisjet

  • G.G /
  • 25 August 2022 - 11:11
Vuçiqi bëhet konstruktiv para takimit me emisarët: Mund t’i japim rrymë Kosovës, të mos u prishen pajisjet

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha mbrëmë në një konferencë për media se kryeministri Albin Kurti “po luan me zjarrin”, ndërsa përmendi ndërprerjet e përditshme të energjisë elektrike.

Duke u futur sërish në rolin e tij teatral të një politikani kontruktiv, Vuçiq tha se Serbia do të mund ta ndihmonte Kosovën me rrymë.

“Fjalë për fjalë, për arsye të panjohura për mua, ata po luajnë me zjarrin dhe nuk e di pse po e bëjnë këtë. Në Kosovë, ju tashmë keni ndërprerje të energjisë çdo ditë, që i prek shqiptarët dhe serbët. Të shohim nëse ka mënyra për t’ju ndihmuar të kursejnë të paktën 10 ditë, 15 ditë, sepse do të rraskapiten, do të mbyten njerëzit. Do t’u prishen pajisjet në shtëpi, nga frigoriferi deri te nuk e di çfarë, nëse jo pas 5 ditësh, atëherë pas 15 apo 25”, tha Vuçiq.

Në vend të normalizimit më plotë të marrëdhënieve, gjë për të cilën Vuçiq tha se nuk është, ai thotë se mund të flitet për çështjen e rrymës.

“Nëse mund t’ju ​​japim rrymë, le të flasim për gjëra të tilla, dhe jo vetëm të flasim – Vuçiq nuk është gati për normalizim”, tha ai, duke kujtuar se për Kosovën, normalizimi nënkupton njohjen si shtet të pavarur.

Këto deklarata vijnë pak para se Vuçiq t’i presë në Beograd të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe emisarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak. Të mërkurën, Escobar dhe Lajçak u takuan me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, si dhe me përfaqësues të opozitës.

Vizitat e emisarëve vijnë në kuadër të një përpjekjeje intensive të SHBA-së dhe BE-së që deri të mërkurën e javës së ardhshme t’i bëjnë Kurtin dhe Vuçiqin ta arrijnë një marrëveshje.

(Kosova Sot Online)