Maliqi: Vuçiqi po ‘shitet’ si konstruktiv, po krijon avantazh për ta shfrytëzuar në “tema më të rëndësishme”

  • E.K /
  • 28 August 2022 - 16:21
Maliqi: Vuçiqi po ‘shitet’ si konstruktiv, po krijon avantazh për ta shfrytëzuar në “tema më të rëndësishme”

Analisti politik, Agon Maliqi, ka komentuar ‘momentumin’ e ri të krijuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai pretendon se tashmë Kosova ka avantazh – pas dobësimit të influencës ruse në Ballkan – dhe një gjë të tillë Kosova duhet ta shfrytëzojë.

“Tani duket se dialogu po i rikthehet parametrave fillestarë nga pikëpamja e fuqive imponuese. Nëse ka diçka pozitive te zhvillimet e fundit, ky është fakti se ato e ekspozuan dobësimin relativ të Rusisë në Ballkan pas luftës në Ukrainë dhe pamundësinë e Vuçiq për të llogaritur në kartën e shantazhit.” – ka shkruar Maliqi.

Por, ai theksoi që megjithatë Vuçiqi (sic.) po “shitej si konstruktiv” duke fituar pikë të cilat do t’i harxhonte dhe kapitalizonte “në tema më të rëndësishme”.

Maliqi ka denoncuar Vetëvendosjen për qasjen e saj të mëparshme në lidhje me dialogun duke “akuzuar për tradhti ata që negocionin”, dhe i cili e kishte pasur synim “konsolidimin gradual të shtetësisë.”

Postimi i plotë i Maliqit, pa ndërhyrje:

Dialogu i Brukselit qysh prej flimit e ka pasur synim konsolidimin gradual të shtetësisë – dhe jo zhbërjën, siç propagandohej nga ata që akuzonin për tradhëti – sepse zhvillohet në terren politik të perëndimit. Për këtë arsye edhe procesi i rregullimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2011 zbriti nga OKB-ja (ku jemi në disavantazh) te BE-ja.

Dialogu këtë funksion të konsolidimit të shtetësisë filloi të mos e kryejë mirë rreth vitit 2015 kur Rusia e shfrytëzoi shpërqëndrimin e perëndimit për t’u riimponuar në Ballkan si hisedare, gjë që forcoi pozicionin negociues dhe shantazhues të Vuçiq. Tani duket se dialogu po i rikthehet parametrave fillestarë nga pikëpamja e fuqive imponuese. Nëse ka diçka pozitive te zhvillimet e fundit, ky është fakti se ato e ekspozuan dobësimin relativ të Rusisë në Ballkan pas luftës në Ukrainë dhe pamundësinë e Vuçiq për të llogaritur në kartën e shantazhit.

Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment dhe hapësirë për të shkuar sa më shpejt drejt marrëveshjes përfundimtare. Nuk duhet të harxhojmë më kreditë te aleatët për çështje dytësore që na bëjnë të ndihemi mirë dhe që shiten politikisht së brendshmi, por që nuk na e zgjidhin problemin kryesor të mosnjohjes (sidomos nga 4 vende të NATO dhe 5 të BE) dhe izolimit ndërkombëtar. Në këtë valë entuziazmi vlen të theksohet gjithashtu se kreditë të tillë dje në NATO dhe BE i fitoi Vuçiq duke u shitur si konstruktiv, për t’i harxhuar dhe kapitalizuar në tema më të rëndësishme.

(Kosova Sot Online)