Dhunimi i 11-vjeçares nga 5 persona, avokati tregon se sa mund të dënohen fajtorët

  • E.K /
  • 29 August 2022 - 18:03
Dhunimi i 11-vjeçares nga 5 persona, avokati tregon se sa mund të dënohen fajtorët

Avokati Arianit Koci thotë se, nga rrethanat që po përshkruhen në media, në rastin e dhunimit të një 11 vjeçare, ku të dyshuar janë pesë burra, dënimet minimal mund të jetë 15 vjet dhe maksimali, burgim i përjetshëm.

Një vajzë 11 vjece dyshohet se është dhunuar për 7 orë në Prishtinë dhe të dyshuar janë pesë persona.

Dhunimi i vajzës, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon  media, ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen detaje tronditëse.

Avokati Koci thotë se me aq sa është bërë e ditur, nëse të dyshuarit shpallen fajtorë, mund të dënohen nga 15 vjet, deri në burgim të përjetshëm.

“Pa e paragjykuar fajësinë, po ju tregoj që për personat mbi moshën 18 vjeçare, me rrethanat që po paraqiten në media se si është kryer vepra penale e dhunimit ndaj vajzës 11 vjeçare – dënimi minimal është 15 vjet”, ka shkruar Koci në Facebook.

Shkrimi i plotë i Kocit:

Monstrumëve në trajtë njerëzore iu del hakësh Kodi Penal i Kosovës.

Pa e paragjykuar fajësinë, po ju tregoj që për personat mbi moshën 18 vjeçare, me rrethanat që po paraqiten në media se si është kryer vepra penale e dhunimit ndaj vajzës 11 vjeçare – dënimi minimal është 15 vjet.

Dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm.

Thellë besoj që burgimi i përjetshëm do t’i parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave të tilla penale dhe do të shprehet fuqishëm gjykimi shoqëror për vepra të tilla penale.

Këto edhe janë dy prej katër qëllimeve të dënimit.

E sa për rehabilitimin e kryerësve – poashtu njëri prej qëllimeve të dënimit, të njëjtët le të rehabilitohen në burg.

Përjetësisht!

P.s

Nëse vajza 11 vjeçare ka prindër, prokuroria dhe institucionet tjera duhet patjetër të merren me ta.

(Kosova Sot Online)