I dyshuari për dhunimin e 11-vjeçares emër i njohur për Policinë – mbi të rëndon dyshimi edhe për dhunë në familje

  • G.G /
  • 30 August 2022 - 11:42
I dyshuari për dhunimin e 11-vjeçares emër i njohur për Policinë – mbi të rëndon dyshimi edhe për dhunë në familje

Dy nga pesë të dyshuarit për dhunimin e vajzës 11-vjeçare në Prishtinë, vëllezërit Ekrem dhe G.Rexhepi, u dërguan dje në paraburgim. Në duart e Policisë tashmë janë edhe dy të dyshuarit e tjerë, të miturit G.J. dhe Xh.S. Edhe i dyshuari i pestë është identifikuar dhe Policia është vënë në ndjekje të tij. Kjo ngjarje e tmerrshme ka ndodhur fillimisht në parkun e Dragodanit në Prishtinë, për të vazhduar më pas në një lokacion tjetër të panjohur.

Ekremi, 26-vjeçar, njëri ndër të dyshuarit për këtë rast, është emër i njohur për Policinë. Në databazën e Policisë së Kosovës ai figuron si i dyshuar edhe për vepra penale të ngjashme dhe për vepra penale tjera.

Sinjali mëson se një ndër veprat penale për të cilat dyshohet Ekremi është dhuna në familje. Ndaj tij, Prokuroria ka zhvilluar hetime pasi është denoncuar.

Për këtë akt çnjerëzor që tronditi vendin Sinjali ka publikuar sot detaje të reja.

Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, G.R., Xh.S. dhe G.J., keqtrajtuan seksualisht vajzën e mitur, në lagjen Arbëria, në Prishtinë, për të shkuar më pas aty edhe 26-vjeçari Ekrem Rexhepi, të cilin e ka thirrur vëllai i tij G.Rexhepi.

Ekremi po dyshohet se ka shkuar deri aty me veturën e tij ‘PickUp’ dhe e ka marrë vëllain e dy të miturit e tjerë të dyshuar dhe vajzën që po përjetonte tmerrin. Rrugës, te varrezat dyshohet se ka zbritur G.Rexhepi dhe i mituri Xh.S, ndërsa me Ekremin kishte vazhduar i mituri tjetër G.J.

Ata u larguan nga ai vend për një lokacion tjetër, ku pas një periudhe të shkurtër, Ekremi dyshohet se ka ndaluar veturën dhe e ka dhunuar vajzën e mitur. Për të mos mbaruar me kaq kjo ngjarje makabre, Ekremi dyshohet se më pas e ka thirrur të dyshuarin e pestë, i cili ndodhet akoma në arrati.

Ndryshe, Sinjali sot raportoi se dy të ndaluarit e fundit, 17-vjeçarë, janë dorëzuar dje në Polici. Ata u paraqitën në stacion policor, pasi e kuptuan se ishin shpallur në kërkim dhe Policia po kërkonte gjurmët e tyre.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

(Kosova Sot Online)