Rama nuk i ndal lavdet për Vuçiçin: Dha sinjale paqeje me Kosovën

  • G.G /
  • 02 September 2022 - 11:43
Rama nuk i ndal lavdet për Vuçiçin: Dha sinjale paqeje me Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dhënë merita iniciativës “Ballkani i Hapur” për shumë procese. Aty ka përfshirë edhe arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Në samitin që po mbahet në Beograd, Rama tha se Kosovës nuk do t’i duhej të humbte aq shumë kohë për ta zgjidhur çështjen e lëvizjes me karta identiteti nëse do të kishte qenë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

Kryeministri shqiptar ka falënderuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, pasi sipas tij, ky i fundit ka treguar qartë se është për paqe.

“Dje mund të ishte një tjetër ditë ku mediat të ishin mbushur me lajme shqetësuese për atë që ndodh mes kufirit Serbi-Kosovë. Dita e djeshme tregoi se cila është rruga dhe zgjidhja e Ballkanit të Hapur. E them me krenari se edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është zgjidhje nga Ballkani i Hapur. Nuk do të ishte nevoja që të shpenzohej aq shumë kohë e energji, nëse edhe Kosova dhe vendet e tjera do të ishin në Ballkanin e Hapur. I shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që duke e materializuar këtë zgjidhje, ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë, që zgjedhja e parë është paqja, zgjidhja për njerëzit. Kjo nuk zgjidh të gjitha, as nuk e bën çështjen që ne na ndan një çështje të zgjidhur, por kjo është rruga”, tha Rama.

“Për ne është shumë e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen jo vetëm të gjitha vendet e rajonit tonë, por edhe vende si Turqia dhe Italia. Kur po diskutonim Ballkanin e hapur, një kryeministër i një vendi të BE-së, më tha pse nuk ishin ftuar. Më vjen shumë mirë që duan të ftohen në Ballkanin e hapur gjithmonë e më shumë vende që i përkasin atyre hapësirave ku ne kemi kaq shumë vite që presim të ftohemi”, tha Rama.

(Kosova Sot Online)