Kushtetuesja e shpall të papranueshme kërkesën për kthimin në rigjykim të lëndës ndaj ish-togerit të dënuar për korrupsion

  • G.G /
  • 06 September 2022 - 10:12
Kushtetuesja e shpall të papranueshme kërkesën për kthimin në rigjykim të lëndës ndaj ish-togerit të dënuar për korrupsion

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e të dënuarit për korrupsion, Menderes Sinani, që kjo gjykatë të shpallë të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe që rasti të kthehet në rigjykim.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 23 dhjetor 2019, pas kthimit të rastit në rigjykim, ish-togerin Menderes Sinani, e kishte dënuar me 4 vjet e 3 muaj burg për veprat penale “Marrja e ryshfetit në bashkëkryerje”, “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa, i njëjti më 3 gusht 2021 kishte dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, në bazë të së cilës kishte kërkuar nga kjo gjykatë, të shpallë të pavlefshëm aktgjykimin [Pml. nr. 34/2021] e Gjykatës Supreme dhe ta kthejë rastin në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas aktvendimit, Gjykata Kushtetuese konsideron se pretendimet e parashtruesit janë të pambështetura dhe të paarsyeshme.

“Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, përkitazi me “të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor” dhe përkitazi me “pranueshmërinë dhe ligjshmërinë e provave” i përkasin kategorisë së tretë (III), nënkategorisë (b), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, të njëjtat i shpallë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; ii) pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 36 të Kushtetutës dhe të nenit 8 të KEDNj-së, duhet të shpallet i papranueshëm në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1, b) të Rregullores së punës, për shkak të mosshterjes në substancë të mjeteve juridike në gjykatat e rregullta; iii) pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, i përket kategorisë se tretë (III), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si i tillë edhe ky pretendim duhet të shpallet qartazi i pabazuar, në baza kushtetuese”, thuhet në këtë aktvendim.

Tutje, aty thuhet se rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (1) (b) dhe (2) të Rregullores së punës.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës Menderes Sinani, po pretendon se aktgjykimi [PKR. nr. 173/17] i Gjykatës Themelore në Ferizaj është i përfshirë me shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të KEDNj-së, sepse “Gjykata Themelore në Ferizaj me rastin e rigjykimit të çështjes penale, nuk i ka marrë për bazë dhe fare nuk i ka trajtuar në mënyrë objektive të gjeturat e Gjykatës së Apelit të cekura si në aktvendimin PAKR.nr.77/2017, dt. 14 nëntor 2017“.

Parashtruesi i kërkesës, tutje pretendon se aktgjykimi i Gjykatës së Apelit PAKR. nr. 282/20, i 6 nëntorit 2020, është i përfshirë në shkelje kushtetuese të nenit 31, dhe të nenit 6 të KEDNj-së, sepse çdo paragraf i tij është marrë në kundërshtim me nenin 401 të KPPRK-së, pasi që kjo gjykatë ka konfirmuar aktgjykimin [PKR. nr. 173/17] të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të 12 marsit 2020, pa asnjë arsyetim të artikulueshëm dhe në shkelje esenciale të dispozitave procedurale nga neni 384, paragrafi 1, nënparagrafi 1.12, lidhur me nenin 370, paragrafin 6, 7, 9 dhe 11 të KPPRK-së, duke dyshuar se Gjykata e Apelit fare nuk i ka lexuar pretendimet ankimore të tij të paraqitura në ankesë, dhe se “ai aktgjykim nuk vërteton asgjë përveç faktit se parashtruesit të kësaj kërkese, i mohon të drejtën e tij të garantuar me Kushtetutë për gjykim objektiv të drejtë dhe të paanshëm“.

Sipas aktvendimit, aty thuhet se parashtruesi i kërkesës, përveç tjerash, pretendon se edhe aktgjykimi i kontestuar i Supremes, i 19 prillit 2021 është i përfshirë në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të KEDNj-së, për arsye se “… ai aktgjykim nuk është fare objektiv dhe mbështetet në arsyetim të paqëndrueshëm, ngase ligjërisht është i papranueshëm dhe joobjektiv arsyetimi i Gjykatës Supreme“, duke theksuar se kjo e fundit “… ka tentuar në një ose formë tjetër që fajin për dënimin që kishte marrë z. Sinani t’ia faturojë mbrojtjes së tij, kinse mbrojta nuk e paska paraqitur në mënyrë të kuptueshme kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, fakt ky i cili nuk qëndron pasi që fare mirë në kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë dt. 08.01.2021 në pikën (1) faqe 6, mbrojtja ka kërkuar nga Gjykata Supreme e Kosovës që edhe njëherë të trajtohen të gjitha pretendimet ankimore të bëra nga mbrojtja, si në Ankesën e dt.13.07.2020 të bëra nga z. Sinani, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore Ferizaj PKR.nr.173/17, dt.12.mars 2020“.

Në këtë kuptim, parashtruesi i kërkesës thekson se “… të gjitha aktgjykimet e atakuara me këtë kërkesë janë pjellë e një prove të papranueshme siç është Shtojca e Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë të të pandehurit B. Sh., Rasti nr. 51/13“.

Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se me asnjë provë tjetër nuk është vërtetuar fajësia e tij për veprat penale për të cilat ai është shpallur fajtor nga gjykatat e rregullta, nisur dhe nga fakti se marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë (PPKR. nr. 250/13, PPS:05/2012 dhe PP.51/13, e 29 prillit 2015), si dhe shtojcën e saj, i dënuari B. Sh. nuk i ka nënshkruar, por ai gjatë fazës së marrjes në pyetje ka deklaruar se ka nënshkruar një marrëveshje ku ka pranuar fajësinë vetëm për vete, duke shtuar se ai nuk ka qenë asnjëherë i thirrur si dëshmitar bashkëpunues, dhe duke qenë se edhe vet gjykata e shkallës së parë me aktgjykimin P. nr. 250/13, të 6 tetorit 2016, marrëveshjen në fjalë, e kishte cilësuar si të papranueshme në këtë fazë të procedurës, përderisa gjykimi ishte në vazhdim e sipër.

Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon në shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 8 [E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare] të KEDNj-së, me pretendimin se në pikën 4 dhe 6 të shtojcës së marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, e të dënuarit B. Sh., të 29 prillit 2015, atij si person i është zbuluar jeta private dhe familjare, për faktin se nga kjo marrëveshje janë cituar pjesë të deklarimeve të të dënuarit B. Sh. të cilat flasin për raportet e tij private me familjen (gruan e tij), e të cilat nuk ndërlidheshin asgjë me pranueshmërinë e provave.

Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga gjykata të shpallë të pavlefshëm aktgjykimin [Pml. nr. 34/2021] e Gjykatës Supreme dhe ta kthejë rastin në rigjykim.

Ndryshe, i akuzuari Sinani ngarkohej edhe me veprat penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare apo i autorizimit në bashkëkryerje”, “Ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “Shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, për të cilat gjykata shpalli aktgjykim refuzues, meqë për këto vepra kishte arritur parashkrimi absolut.

Aktgjykim refuzues ishte shpallur edhe ndaj ish-të akuzuarit për veprën penale “Shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore”, Vahid Tahiri, pasi që edhe për këtë vepër kishte arritur parashkrimi absolut, për çka edhe prokurori i rastit, Rasim Maloku, ishte tërhequr nga ndjekja penale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor të vitit 2013, kishte ngritur aktakuzë ndaj Menderes Sinanit, ku të njëjtin e akuzonte se në cilësi të udhëheqësit të Njësisë Anti-Trafikim në Stacionin Policor të Ferizajt, kishte kryer veprat penale “Shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “Marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “Ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “Shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “Dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “Moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt, me trup gjykues të udhëhequr nga gjykatësi i EULEX-it Piotor Bojarchuk, në muajin tetor të vitit 2016, kishte dënuar ish-togerin ferizajas Menderes Sinanin, me dënim unik prej 7 vjetësh burgim, për katër vepra penale të korrupsionit.

Gjykata, gjithashtu kishte obliguar Sinanin që palës së dëmtuar, familjes së Bidajet Sylejmanit, t’ia kompensonte dëmin në shumë prej 4750 eurosh.

Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast, Vahid Tahiri, nga shkalla e parë ishte liruar nga akuza për veprën penale “Shmangie nga pagesat e taksave doganore”.

Mirëpo, rasti i ish-togerit Sinani dhe të akuzuarit Tahiri, është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

“Betimi për Drejtësi”, në dhjetor 2017, pati siguruar aktgjykimin e Apelit, me të cilin kjo gjykatë, duke aprovuar ankesat e të pandehurit Sinani dhe mbrojtësit të tij avokatit Aziz Rexha dhe duke hedhur poshtë ankesën e prokurorit special Drew Angel, me aktvendim, në tërësi, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, të datës 6 tetor 2016, dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Në aktgjykim, ndër të tjera thuhej se Gjykata Themelore e Ferizajt, gjatë rigjykimit, duhet që në cilësi të dëshmitarit ta dëgjojë Besim Shabanin, i cili po ashtu ishte i akuzuar në këtë rast, si dhe të përsëris marrjen në pyetje të shumicës së dëshmitarëve relevant të cilët kanë dëshmuar gjatë gjykimit të parë.

Pas vendimit të Apelit për kthim të lëndës në rigjykim, e njëjta gjykatë, më 16 nëntor 2017, po ashtu kishte marrë vendim për lirimin e Sinanit nga masa e paraburgimit. Ndërsa, kjo masë atij më pas i është zëvendësuar me paraqitje në stacion policor.

Ish-togeri Sinani, akuzohet edhe në një rast tjetër, ku së bashku me disa persona të tjerë, akuzohen për veprat penale “moslajmërimi i veprave penale ose kryesve të tyre”, “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, “frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “deklarimi i rremë nën betim”.

(Kosova Sot Online)