Haxhiu e çon në Prokurori raportin e Inspektoratit për Rastin Dehari – flet për “falsifikime dhe manipulim provash”

  • E.K /
  • 12 September 2022 - 11:55
Haxhiu e çon në Prokurori raportin e Inspektoratit për Rastin Dehari – flet për “falsifikime dhe manipulim provash”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka prezentuar një raport me gjetjet e inspektoratit të kësaj ministrie për rastin e vdekjes së ish-aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari. Sipas Haxhiut, ky raport lë dyshime të mëdha për manipulim të provave dhe deklaratave të akterëve të përfshirë në këtë rast.

Ministrja Haxhiu ka thënë se me këtë rast do të ndërmarrë dy veprime.

“Si ministre e Drejtësisë do të ndërmarr dy veprime. Raportin në fjalë do ta dërgojmë te kryeprokurori i shtetit Besim Kelmendi dhe i njëjti do të dërgohet te organet përgjegjëse që kanë autorizime për shqiptimin e masave ndaj akterëve të përfshirë në këtë raport”, tha ajo para gazetarëve.

Tutje, ajo e lexoi përmbajtjen e këtij raporti:

“Me 5 nentor të vitit 2016 në rrethana të pasqaruara ka ndërruar jetë Astrit Dehari, lidhur me këtë gjatë kësaj kohe që nga marrja e detyrës, nga zyrtarë të ndryshëm, kemi pranuar informata të ndryshme lidhur me përfshirjen e personave përgjegjës në këtë rast. Për të sqaruar zbatimin e procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, nëse zyrtarët përgjegjës kanë zbatuar përgjegjësitë e tyre, kam kërkuar inspektim dhe duke pasur parasysh ndjeshmërinë e këtij rasti. Më lejoni që sot t’i adresoj gjetjet e inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë”, tha ajo.

Raporti të cilin e ka pranuar MD ka evidentuar këto shkelje, sipas Haxhiut:

“Marrja dhe posedimi i incizimit të kamerave me aprovim të drejtorit të ish-Drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, te zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarët e komisionit tjetër, përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionit përkatës për mbrojtjen e të dhënave. Është e rëndësishme të theksohet se incizimet janë marrë nga kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë dhe zyrtarët e SHKK-së, janë marrë para se ato t’i merrte policia, pra nga data 5-7 nëntor të vitit 2016.

Sipas raportit të inspektoratit, kryeinspektori në vitin 2016 ka nxjerrë dy raporte dhe kontradiktore. Në raportin e parë thuhet se po bëhën inspektim i jashtëzakonshëm duke e cfilësuar rastin si vetëvrasje, duke tejkaluar kompetencat ligjore. Në raportin e dytë shkruan me rastin e vdekjes, janë dy raporte kontradiktore…Tani i takon orgnave të ndjekjes që të zbardhin nëse ky raport është i falsikikuar dhe nëse po nga kush, apo nëse në anën tjetër nëse kryeinspektori nuk po e thotë të vërtetën.

Në vend të suspsendimit të stafit përgjegjës, siç ndodh aktualisht, ata kanë vazhduar të jenë në punë deri më datën 21 nëntor 2016 dhe konsidertojmë se kanë lënë hapësirë për manipulim të provave.

Dëshimtari kryesor, Naser Makolli, është tranfesuar më 9 dhjetor në Lipjan, ku paraprakisht në Qendrën e njëjtë ishin transferuar edhe oficierët me masën disiplinore.

Raporti adreson edhe deklaratat kontradiktore të zyrtarëve përgjegjës”, u shpreh ajo ndër të tjera. 

(Kosova Sot Online)