Italianët në debat të ashpër si të gatuhen makaronat pas shtrenjtimit të energjisë

  • E.K /
  • 13 September 2022 - 14:08
Italianët në debat të ashpër si të gatuhen makaronat pas shtrenjtimit të energjisë

Rritja e faturave të energjisë ka ndezur një debat të ashpër në Itali mbi mënyrën më të mirë për të gatuar makaronat. Italianët janë të ndarë: disa thonë se makaronat mund të gatuhen në ujin që e ka arritur pikën e vlimit dhe më pas i është ndërprerë nxehtësia.

Të tjerë mendojnë se kjo përbën një herezi kulinare, si për shembull Wasfi Mesieha, kuzhinier në restorantin tradicional Sabatino në Romë.

"Makaronat mund të gatuhen vetë, pa flakë. Nëse arrini temperaturën e vlimit 100 gradë, mund ta fikni zjarrin dhe makaronat do të vazhdojnë zierjen, por do të gatuhen shumë keq," tha ai.

Mesieha, i cili gatoi makaronat tradicionale romake Carbonara për ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe një numër presidentësh dhe zonjash të para në karrierën e tij të gjatë, flet nga përvoja.

Punëdhënësja e tij Luigina Pantalone, familja e së cilës drejton restorantin Sabatino në qendër të Romës prej gati 100 vjetësh, është e shqetësuar për rritjen e kostove të energjisë.

Por ajo nuk mendon se kursimi i gazit është një zgjidhje e zbatueshme për biznesin e saj, pasi klientët e saj duan makarona “al dente”, që do të thotë të qëndrueshme në kafshatë dhe jo të ziera shumë.

“Sa po dilnim nga pandemia që na goditi realisht dhe pikërisht tani që po punojmë dhe po nxjerrim disa fitime, po vuajmë nga rritja e faturave të gazit dhe energjisë. Kjo po krijon shumë probleme në menaxhimin e biznesit tonë, sepse po përpiqemi të mos ndryshojmë çmimet, por nuk jam e sigurt për sa kohë do të rezistojmë”, tha Pantalone.

Pavarësisht kësaj, shoqata kryesore e prodhuesve italianë të makaronave, Unione Italiana Food, vlerësoi se ata që përdorin metodën e diskutueshme pa flakë mund të kursejnë deri në 47% të gazit që harxhojnë normalisht me metodën tradicionale të gatimit.

Disa familje italiane po e shqyrtojnë këtë mes faturave në rritje, veçanërisht pasi çmimi i gazit në standardin e Amsterdamit TTF është ende shtatë herë më i lartë se ai që ishte në vitin 2021.

Sipas organizatës, nëntë nga 10 italianë e mbajnë zjarrin ndezur kur gatuajnë makaronat.

Megjithatë, për tradicionalistët ka dy këshilla të thjeshta për të kursyer energji: mbajeni kapakun mbi tenxhere derisa ta çoni ujin në pikën e vlimit dhe përdorni vetëm 700 mililitra ujë për çdo 100 gram makarona, jo më shumë.

(Kosova Sot Online)