“Dëshmitari në rastin e Oliver Ivanoviqit po kërcënohet me jetë”

  • G.G /
  • 16 September 2022 - 13:45
“Dëshmitari në rastin e Oliver Ivanoviqit po kërcënohet me jetë”

Pa praninë e medieve të premten ka vazhduar seanca në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Dëshmitari i mbrojtur ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin e vrasjes së politikanit serb në Mitrovicë, Oliver Ivanoviq, i cili për të disatën herë më radhë kishte refuzuar të dëshmonte për këtë rast me arsyetimin se rrezikohet jeta e tij dhe familjes.

Këtë për EO e ka bërë të ditur avokati Musa Damati, që në këtë rast mbron Silvana Arsoviq.

Ai më tej ka sqaruar se nën masa të rrepta të sigurisë është dëgjuar dëshmia e tij.

Damati ka sqaruar se dëshmitarët tjerë të cilët nuk janë të mbrojtur kanë apostrofuar si të involvuar shumë figura të larta të politikës, figura të botës së biznesit dhe të mafisë.

“Sot është proceduar me dëgjimin e dëshmitarit të mbrojtur, i cili disa herë më parë ka refuzuar që ta jap dëshminë e tij për shkak se siç ka deklaruar është i kërcënuar me jetë ai dhe familja e tij, kjo ka qenë arsyeja pse në të kaluarën janë shtyrë seancat”.

“Ndërsa sot pas analizës së rrethanave, më në fund është proceduar me dëgjimin e dëshmisë së tij, nën masa të rrepta sigurie dhe me një fortifikim të jashtëzakonshëm”.

“Përmbajtjen e kësaj dëshmie unë nuk jam i autorizuar që t’ju ekspozoj për shkak të kufizimeve ligjore, por dëshmitarët tjerë të cilët nuk janë të mbrojtur kanë apostrofuar si të involvuar shumë figura të larta të politikës, figura të botës së biznesit dhe të mafisë”, tha Damati.

(Kosova Sot Online)