Detaje për trafikimin e vajzës në Podujevë, viktima është e mitur

  • E.K /
  • 19 September 2022 - 11:05
Detaje për trafikimin e vajzës në Podujevë, viktima është e mitur

Një vajzë e mitur dyshohet se ka qenë viktimë e trafikimit në Podujevë. Për këtë rast janë arrestuar tre persona të moshës madhore.

Të shtunën policia ka arrestuar fillimisht dy të dyshuar për veprën penale “trafikim me njerëz”, ndërsa të dielën është bërë arrestimi i të dyshuarit të tretë për “shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”.

Ndaj tre të dyshuarve Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhenësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se fillimisht me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur janë dërguar në mbajtje tre (3) persona të dyshuar, për veprën penale “Trafikimi me njerëz”, si dhe për të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, tha Ulaj.

Tutje, ajo tha se “ndaj rastit janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me institucionet relevante”.

Për arrestimin e dy të dyshuarve të parë, policia në raportin e saj 24-orësh tha “TRAFIKIM ME NJERËZ/Podujevë (NN) 17.09.2022 – 13:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, nën dyshimin e bazuar se ishin duke e trafikuar viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”.

Ndërsa, për arrestimin e të dyshuarit të tretë në raportin e policisë u tha “SHËRBIME SEKSUALE TË VIKTIMËS SË TRAFIKIMIT/Podujevë 18.09.2022 – 14:00. Në lidhje me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”.

(Kosova Sot Online)